Kongresi i 41-të i UEFA-s në Helsinki ka mbyllur punimet e tij duke zgjedhur edhe anëtarët e rinj të Komitetit Ekzekutiv. Presidenti i FSHF-së Armand DUKA, kandidat në këtë garë, ka arritur të marrë 25 vota. Presidenti i FSHF-së Duka është renditur në vendin e 9-të me 25 vota të siguruara nga 55 anëtarë që votuan në total, teksa kandidati fitues i fundit ishte ai turk. Sidoqoftë, prezenca e Presidentit të FSHF-së, një federate të vogël në këtë garë madhore demonstroi sërish vlerësimin absolut për nominimin e kreut të FSHF-së për një vend në KE të UEFA. Vetë kreu i FSHF-së ka marrë përgëzimet më të mira nga krerët më të lartë të UEFA-s dhe FIFA-s për këtë garë fisnike. Angazhimet dhe projektet për të mirën e futbollit nga ana e FSHF nuk do të mungojnë edhe në vijim duke vazhduar me ritëm shumë më të lartë, në kooperim të plotë me UEFA-n dhe FIFA-n, në të mirë dhe progres të futbollit. Ndërkaq në Kongresin e sotëm janë miratuar edhe disa amendime në statutin e UEFA-s, teksa për të gjitha federatat është akorduar fondi prej 1 milionë euro. Këtë e përcolli vetë Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin në fjalën e tij përpara anëtarëve.

















