Kongresi historik / Gianni Infantino rizgjidhet President i FIFA-s për një mandat të dytë! - FSHF

Kongresi historik / Gianni Infantino rizgjidhet President i FIFA-s për një mandat të dytë!

Gianni Infantino do të shërbejë për një mandat të dytë si President i FIFA-s pasi u rizgjodh për të udhëhequr qeverinë e futbollit botëror për katër vjet të tjera, gjatë Kongresit të 73-të të FIFA-s që u zhvillua sot në Kigali, Ruanda.

Duke folur menjëherë pas rizgjedhjes në këtë post të rëndësishëm për mandatin 2023-2027, Presidenti Infantino tha:

“Të jesh President i FIFA-s është një nder i jashtëzakonshëm, një privilegj i jashtëzakonshëm dhe është gjithashtu një përgjegjësi e madhe. Jam vërtet i përulur dhe i prekur nga mbështetja juaj dhe ju premtoj se do të vazhdoj t’i shërbej FIFA-s, t’i shërbej futbollit në të gjithë botën dhe t’i shërbej të gjitha 211 federatave anëtare të FIFA-s”.

Në këtë Kongres zgjedhor të FIFA-s, që për herë të parë në histori u zhvillua në Afrikë, morën pjesë Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka dhe Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku.

Presidenti i FIFA-s theksoi rolin e FIFA-s për të organizuar turne dhe për të zhvilluar futbollin. Presidenti zbuloi se Kupa e Botës për Femra me 32 skuadra në Australi dhe Zelandën e Re këtë vit do të marrë një rritje të madhe në vlerën e shpërblimeve për skuadrën në mbi 150 milionë USD – më shumë se trefishi i vlerës krahasuar me turneun e fundit në 2019-n, dhe dhjetë herë më shumë se në vitin 2015.

Presidenti Infantino gjithashtu iu referua ndryshimeve të reja në Kupat e Botës FIFA U-17 në nivel djemsh dhe vajzash, me këto turne që do të luhen çdo vit, si dhe fillimin e “FIFA World Series” dhe Kupës së Botës për Klube me 32 klube me synimin për t’u dhënë skuadrave nga çdo konfederatë më shumë mundësi për të konkurruar në nivel global.

Gjithashtu janë miratuar pasqyrat financiare për vitin 2022, pasqyrat financiare statutore të FIFA-s për vitin 2022, buxheti 2023-2026, buxheti i detajuar i vitit 2024 dhe emërimi i auditorëve për 2023-2025. Data e Kongresit të ardhshëm është caktuar më 17 maj 2024, ndërsa vendi ku do të zhvillohen punimet mbetet për t’u përcaktuar.