Konferenca për median, Çepele: “Klimë pozitive, ka optimizëm”. Gjimshiti: “Jo nënvlerësim” - FSHF

Konferenca për median, Çepele: “Klimë pozitive, ka optimizëm”. Gjimshiti: “Jo nënvlerësim”

Dy lojtarët e Kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti dhe Ramën Çepele kanë dalë sot në një konferencë për mediat, përpara ndeshjeve zyrtare kundër Kazakistanit dhe Bjellorusisë të vlefshme për Ligën e Kombeve.

Debutuesi Çepele, i cili luajti ndeshjen e tij të parë kuqezi ndaj Kosovës teksa iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve tha se ishte i emocionuar dhe krenar pas ndeshjes së parë me Kombëtaren dhe se ishte pozitiv për dy ndeshjet e radhës. Edhe pse ende i vogël, Çepele u shpreh se për të qenë titullar duhet të presë momentin dhe gjithashtu foli edhe për karrierën e tij jashtë vendit, për kalimin nga Inter tek ekipi i Hannoverit.

Ndërsa mbrojtësi me eksperiencë në Kombëtare dhe në Europë, Berat Gjimshiti theksoi se grupi ka besim për dy ndeshjet e radhës dhe se sulmuesit janë në gjendje të mirë, ndërsa nuk harroi të vlerësojë kompeticionin e Ligës së Kombeve. Për ndeshjen e radhës kundër Kazakistanit, ai shprehet se ekipi nuk duhet nënvlerësuar.

Në fillim ishte Çepele që iu përgjigj pyetjeve të medias në konferencë.

Emocionet e debutimit – Është një emocion i paparë, është një gjë fantastike, është krenari debutimi me Kombëtaren shqiptare.

Pritja nga ekipi – Është shumë bukur të jesh këtu, të gjithë lojtarët e tjerë më kanë ndihmuar shumë, më kanë qëndruar afër gjithë kohës dhe nuk kam ndjerë shumë vështirësi.

Lojtari më i afërt – Pothuajse të gjithë lojtarët nga skuadra më kanë qëndruar pranë në këtë fillim, kam edhe njërin këtu afër që më ka ndihmuar shumë (Berat Gjimshiti) dhe e falënderoj.

Shqipëria në Europian? – Gjithçka mund të ndodhë, unë shpresoj shumë që të shkojmë në Europian dhe në Botëror. Do të ishte diçka fantastike për të gjithë shqiptarët.

Objektivi kryesor – Them që duhet të pres momentin tim. Tani jam akoma i vogël, kam shumë për të bërë, por do jetë sigurisht një gjë shumë e bukur nëse do të arrija të fitoja një vend titullari në të ardhmen.

Kalimi nga Inter te Hannover – Te Hannover kam më shumë shans për të shkuar tek ekipi i parë. Në Itali është shumë e vështirë, nuk i vlerësojnë shumë lojtarët e vegjël. Te Hannover them që kam më shumë shanse ndaj edhe vendosa të shkoj atje.

Dy sfidat e radhës – Them që fitorja në miqësoren me Kosovën na ndihmon shumë për të qenë pozitivë dhe optimistë për sfidat e radhës. Unë jam shumë pozitiv për këto dy ndeshje dhe shpresoj të bëjmë mirë.

Më tej, e mori fjalën Berat Gjimshiti, i cili iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve.

Dy ndeshjet e Ligës së Kombeve – Besimi është i madh. Të gjithë lojtarët e ekipit, e dimë që kemi cilësi në shumë lojtarë, si ata me shumë eksperiencë, si ata që kanë ardhur të rinj, si Çepele, që janë lojtarë pak më të rinj me moshë. Besoj që mund të marrim maksimumin nëse bëjmë dy ndeshje të mira dhe ashtu siç i organizojmë për të fituar ndeshjet.

Eksperienca me Atalantën – Besoj që më ka ndihmuar. Ajo edhe shihet në fushë, por ajo gjëja më e rëndësishme është të luash sa më shumë, sepse ato minuta që luan në fushë të japin eksperiencën, edhe nëse bën gabime ose diçka që nuk e ke ndërmend. Kështu që edhe trajneri, ka rëndësi që të japë besim në lojtarin që je dhe ajo të rrit sa më shumë. Dhe besoj ajo më ka ndihmuar shumë në këto dy vite, që kam luajtur. Për shembull, ndeshjet në Champions League të rrisin nivelin më shumë.

Vlerësimi për turneun – Ne që e vlerësojmë, e vlerësojmë më shumë sesa një miqësore, sepse përpara kanë qenë vetëm miqësore, ndërsa tani janë bërë edhe një lloj rasti për t’u kualifikuar ose në Europian siç ka qenë vitin e kaluar ose tani për në Botëror. Janë raste që mund t’i marrësh ose seriozisht siç e marrim ne, ose ekipe të tjera që i marrin si miqësore. Ne i marrim si ndeshje shumë të rëndësishme për ne.

Gjendja e sulmuesve Thuhet se sulmuesit fitojnë ndeshjen, ndërsa mbrojtja fiton kupën ose kampionatin. Kanë rëndësi shumë sulmuesit që kanë vetëbesim dhe që zhbllokohen në lojë, sidomos në këto ndeshje që kemi, sepse golat janë ato që bëjnë ekipin të fitojë. Edhe në ndeshjen me Kosovën, ishte miqësore, në rregull, por pashë shumë mirë në fazën ofensive, siç bëri Uzuni ose Balaj. Golat janë shumë të rëndësishëm për sulmuesin, sepse aty vlerësohet. Edhe në stërvitje i shoh shumë mirë dhe besoj që do bëjmë gola në këto ndeshje.

Mësimet nga sfida e Kazakistanit – Gabimi që nuk duhet të bëjmë është të mos nënvlerësojmë skuadrën e Kazakistanit, sepse kanë cilësi, luajnë në kundërsulm shpejt dhe mirë dhe kur fitojnë topin shikojnë të kundërsulmojnë shpejt dhe aty duhet të kemi kujdes. Por besoj që me eksperiencën dhe cilësinë që kemi ne në skuadër, mund t’i mundim.