Komiteti i arbitrimit deklaratë për shtyp - FSHF

Komiteti i arbitrimit deklaratë për shtyp

Thellesisht i indinjuar dhe i shqetësuar për aktin e pashembullt të dhunës së ushtruar dje pasdite, ndaj gjyqtarit të njohur Kridens Meta, Komiteti i Arbitrimit në emër të të gjithë komunitetit të arbitrave në Shqipëri, kërkon ti bëjë me dije opinionit publik dhe mediave, qëndrimin e tij:
Dënon dhunën e ushtruar ndaj arbitrit Kridens Meta, e cila vjen për shkak të detyrës. Një barbarizëm i tillë, ndaj një zyrtari, pedagogu, njeriu, vjen dhe të tmerron, kur mendon se ndodh në mes të Tiranës, në një nga zonat më të populluara të saj. Elementë të tillë kriminalë, që duket sikur dalin nga mesjeta për të goditur rëndë civilizimin dhe institucionet, na bëjnë të mendohemi shumë për të ardhmen tonë. Dhe për të luftuar gjithnjë e më tepër, që fenomene të tilla të dhunshme si ajo që i ndodhi dje Kridens Metës, të jenë sa më larg shoqërisë sonë të civilizuar. 
Akte të tilla, që të kujtojnë periudhat më të errëta të historisë së njerëzimit dhe janë tepër të dënueshme.Ligji duhet të veprojë sa më fort ndaj vandalëve të tillë. Ndërkohë që i gjithë opinioni i shëndoshë dhe mediat duhet të dënojnë sa më fort veprime të tilla, që mund të kishin për pasojë edhe humbjen e jetës së një arbitri. Të gjithë sa bashku, ne jemi në këto çaste të vështira, pranë kolegut e mikut tonë Kridens Meta, solidarë me të dhe duke dënuar agresorët e aktin e rëndë. 
Sa më shprejt, njerëz të tillë të vihen përpara drejtësisë, aq më të lehtësuar do të ndjehemi ne dhe e gjithë shoqëria shqiptare, e cila uron që veprime të tilla të mos përsëriten kurrë më.

Komiteti i Arbitrimit


Duke kontrolluar karten...