Shqipëria U-21 ka zhvilluar këtë të hënë ndeshjen e fundit ndaj Kosovës, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian 2023 për këtë grupmoshë.
Në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Elbasan Arena”, kuqezinjtë e drejtuar nga Alban Bushi nuk arritën të shkonin më tepër se barazimi 1-1 ndaj përfaqësueses së Kosovës, në një ndeshje që prodhoi mjaft emocione deri në minutën e fundit. Bushi e nisi lojën me këtë formacion: Puja, Ismajlgeci, Selmani, Kalaj, Mitaj, Marku, Çelhaka, Kraja, Rrapaj, Muçi, Karrica.
Dardanët kaluan të parët në avantazh me Krasniqin në minutën e 32-të, teksa pjesa e parë u mbyll me rezultatin 0-1 në favor të Kosovës. Me nisjen e fraksionit të dytë të lojës, kuqezinjtë e Bushit tentojnë të ndryshojnë rezultatin, duke krijuar disa raste, teksa momenti më i mirë ishte në minutën e 86-të, me Ismajlgecin që humb një 11-metërsh.
E megjithatë, skuadra e drejtuar nga Alban Bushi shfrytëzoi çdo minutë të lojës, teksa goli i barazimit erdhi vetëm në minutën e 95-të, me Flamur Ruçin që shtyu topin në rrjetë, duke barazuar rezultatin e kësaj sfide. Kjo ishte ndeshja e fundit për këtë edicion kualifikues për Kampionatin Europian 2023, ku Shqipëria u rendit në vendin e pestë me 10 pikë në total.

















