Kombëtarja U-19 në testin e parë, Cungu: I japim mundësinë çdo lojtari të vlefshëm - FSHF

Kombëtarja U-19 në testin e parë, Cungu: I japim mundësinë çdo lojtari të vlefshëm

Kombëtarja shqiptare U-19 ka zhvilluar sot një miqësore me Partizanin B në kuadër të grumbullimit 3-ditor, që kuqezinjtë e vegjël kanë nisur që ditën e hënë. Trajneri Armando Cungu pati mundësinë të testonte të gjithë lojtarët e grumbulluar në test, që u zhvillua në kompleksin Internacional në Pezë Helmës të Tiranës.

Formacioni titullar që nisi ndeshjen ishte ky: Kaçaj, Ismaili, Paloka, Shani, Musaj, Osma, Kuka, Stafa, Cahani, Mema dhe Shahaj. Në pjesën e dytë të takimit u aktivizuan të gjithë lojtarët e ftuar për këtë stazh stërvitor.

Në prononcimin e dhënë për Fshf.org, trajneri Cungu fillimisht falënderoi drejtuesit e federatës për besimin që i kanë dhënë dhe u shpreh optimist për të ardhmen e ekipeve kombëtare si edhe për cilësinë e prurjeve të reja. “Unë besoj se detyra e trajnerit të ekipit Kombëtar U-19 është një post që nderon çdo trajner shqiptar. Mendoj se është një arritje kulminante në karrierën e një trajneri. Të jesh trajneri i njërës prej përfaqësueseve shqiptare është një ëndërr për çdo trajner, kështu që gjej rastin edhe të falënderoj drejtuesit e FSHF-së, të cilët më besuan në këtë post. Sigurisht që kënaqësia është e madhe t’i shërbej edhe unë sadopak elementeve të ekipeve kombëtare shqiptare për të bërë një Kombëtare të madhe edhe më të mirë, edhe më të suksesshme, sepse realisht nuk mungojnë edhe djemtë, edhe talentet në futbollin shqiptar”, – tha Cungu.

Më tej, tekniku kuqezi theksoi se këto grumbullime janë një mundësi e mirë për të vëzhguar nga afër lojtarët e perspektivës, qoftë ata që luajnë jashtë vendit, qoftë dhe talentet e kampionatit shqiptar. “Grumbullimet janë gjithmonë të vlefshme, bëhen për një arsye sepse ne jemi në fazën e vëzhgimit të lojtarëve dhe këto grumbullime për këtë arsye bëhen, për të parë, për t’u dhënë mundësi lojtarëve dhe për t’i përfshirë në databazë. Gjithashtu, për t’u munduar që të bëjmë më të mirën për këto djem dhe për këtë brez. Jam i bindur që do të vazhdojmë dhe do të kemi edhe grumbullime të tjera në mënyrë që t’i japim mundësi çdo lojtari, jo vetëm atyre që luajnë jashtë, por do të jenë të vëzhguar me shumë detaje dhe më shumë vëmendje edhe futbollistët që luajnë në kampionatin shqiptar e që janë të grup-moshës U-19 në mënyrë që të nxjerrim elementet e duhura dhe të bëjmë një ekip kompetitiv, që t’i vlejnë nesër normalisht edhe zinxhirit të Kombëtares së madhe”, – vijoi Armando Cungu.

Sakaq, trajneri kuqezi e ka të qartë se objektivi kryesor është evidentimi i talenteve dhe furnizimi i Kombëtares A me lojtarë të vlefshëm, por duke mos lënë mënjanë as objektivat e tjerë si marrja e rezultateve pozitive në kompeticionet ndërkombëtare të kësaj grup-moshe. “Mendoj se puna e ekipeve zinxhir të Kombëtareve duhet të jetë e fokusuar më shumë te përzgjedhja e elementeve të duhur dhe dhënia e koncepteve të futbollit në mënyrën e duhur në funksion të mbështetjes së Kombëtares A. Gjithsesi, kjo nuk zbeh absolutisht edhe dëshirën dhe objektivat për të qenë kompetitiv sa i përket rezultateve në kompeticione të ndryshme. Por kjo situatë pandemie ka bllokuar natyrshëm edhe futbollin, jo vetëm në Shqipëri, por në mbarë globin e si rezultat i kësaj është për të ardhur keq që një pjesë e datëlindjeve të ndryshme si ato të 2002-it pothuajse shkojnë një vit pa luajtur një kompeticion, gjë që nuk u shërben as djemve e as stafit teknik. Sidoqoftë në këto kushte duhet të dimë të përshtatemi dhe pikërisht këto grumbullime janë për këto arsye, për të pasur mundësi në përzgjedhje e për t’i dhënë mundësi lojtarëve për të dhënë maksimumin e tyre për këtë fanellë”, – deklaroi trajneri i ekipit Kombëtar U-19.

Miqësorja e së martës përfundoi me fitoren 2-0 të Partizanit B, ndërsa sfida u ndoq nga afër nga trajnerët e ekipeve kombëtare të moshave, Alban Bushi, Ervin Bulku, Armand Dama,  si edhe nga Kryeskauti i Ekipeve Kombëtare, Xhemal Mustendanagic dhe specialisti Sulejman Mema.

Ekipi Kombëtar U-19 do të zhvillojë ditën e mërkurë (datë 24 shkurt 2021) një miqësore me ekipin Kombëtar U-18, që nis në ora 10:30 dhe luhet në fushën e kompleksit “Tropikal” në Durrës. Kjo ndeshje ul edhe siparin e këtij grumbullimi të parë të kuqezinjve nën drejtimin e trajnerit Armando Cungu.