Kombëtarja U-17, sërish në fushë. Bulku: Ndjekim nga afër gjendjen e lojtarëve, do të ketë prurje të reja - FSHF

Kombëtarja U-17, sërish në fushë. Bulku: Ndjekim nga afër gjendjen e lojtarëve, do të ketë prurje të reja

Kombëtarja shqiptare U-17 do të zbresë sërish në fushë për një tjetër grumbullim, që është i katërti në radhë brenda këtij viti. Ky grumbullim do të zgjasë 4 ditë, prej datës 7 mars deri në datën 10 mars dhe trajneri Ervin Bulku do të ketë nën urdhrat e tij jo vetëm lojtarë të cilët aktivizohen në kampionatin shqiptar, por edhe kuqezinj që militojnë në radhët e klubeve të huaja.

Të gjithë këta futbollistë do të jenë të vitlindjes 2006 dhe një pjesë e tyre kanë qenë edhe më parë në grumbullimet e seleksionimet e organizuara nga stafi i Kombëtares shqiptare U-17, sikurse shprehet trajneri Bulku në një prononcim të shkurtër për fshf.org.

Tekniku shqiptar thekson se qëllimi kryesor i këtij grumbullimi katër ditor është ndjekja nga afër e gjendjes së lojtarëve të kësaj grupmoshe, si dhe cilëson se do të ketë edhe prurje të reja  në Kombëtare.

“Nga data 7 deri më 10 mars do bëjmë një tjetër grumbullim për këtë vit, që do të zgjasë katër ditë dhe të cilin e gjykojmë si mjaft të rëndësishëm, ashtu sikurse çdo grumbullim e seleksionim tjetër, pasi do të kemi mundësi të shohim nga afër gjendjen e lojtarëve të datëlindjes 2006.

Në këtë grumbullim do të jenë lojtarë që ne i njohim, të cilët kanë qenë më parë pjesë e grumbullimeve tona, por edhe disa lojtarë të rinj që vijnë nga Anglia dhe Greqia, të cilët do të jenë pjesë e grupit dhe në ditët e stërvitjes do të shohim gjendjen e të gjithë lojtarëve së bashku me stafin tonë” – thotë Bulku për fshf.org.