Kombëtarja U-17 nis punën intensive, stafi planifikon katër seanca stërvitore në gusht - FSHF

Kombëtarja U-17 nis punën intensive, stafi planifikon katër seanca stërvitore në gusht

Muaji gusht do të jetë një muaj mjaft intensiv për ekipin kombëtar U-17. Kjo pasi të gjithë lojtarët e kësaj grupmoshe që janë aktivizuar më parë apo rishtarë do të vihen nën urdhrat e trajnerit Ervin Bulku.

Stafi i Kombëtares U-17 ka planifikuar që të zhvillojë katër seanca stërvitore, si edhe ndeshje testuese në datat 10, 17, 24 dhe 31 gusht, me lojtarë që aktivizohen në kampionatin shqiptar kryesisht, por edhe me futbollistë shqiptarë që luajnë jashtë vendit.

Qëllimi i këtyre seancave është stërvitja një herë në javë me lojtarë që aktivizohen me klubet shqiptare, për të vëzhguar nga afër gjendjen e tyre dhe për të parë nëse kanë pasur rritje nga hera e fundit kur ekipi është grumbulluar.

Duke evidentuar gjendjen aktuale të futbollistëve vendas, stafi do të ketë mundësinë të shohë mangësitë e tyre dhe t’i stërvisë më shumë e të punojë me ushtrime fizike dhe taktike.

Gjithashtu, kjo është një mundësi shumë e mirë, jo vetëm për trajnerin dhe stafin e tij, që të bisedojnë nga afër e të japin porositë e tyre dhe se ku duhet të fokusohen më tepër.

Siç edhe është bërë e ditur më herët, ekipi kombëtar U-17 po përgatitet për turneun zyrtar në Kroaci, ku do të marrë pjesë në kualifikueset e Kampionatit Europian 2023 për këtë grupmoshë. Kuqezinjtë janë shortuar në të njëjtin grup me Kroacinë, Uellsin e Suedinë.

Përgjatë këtij viti, Kombëtarja U-17 ka zhvilluar disa seleksionime, grumbullime e ndeshje miqësore, teksa ka zyrtarizuar edhe dy të tjera ndaj Maqedonisë së Veriut në muajin shtator.