Kombëtarja shqiptare mundet 0-2 nga Spanja - FSHF

Kombëtarja shqiptare mundet 0-2 nga Spanja

Kombëtarja shqiptare e futbollit është mundur me rezultatin 0-2 nga Spanja në ndeshjen e vlefshme për eliminatoret e Botërorit “Rusi 2018”. Në takimin e luajtur në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës trajneri Gianni De Biasi hodhi fillimisht në fushë këtë formacion: në portë Berisha; në mbrojtje Hysaj, Gjimshiti, Mavraj e Agolli; në mesfushë Lila, Xhaka, Memushaj, Roshi, Lenjani dhe në sulm i vetëm Balaj.

Spanjollët e nisën lojën menjëherë në sulm, por kquezinjtë mbrohen mirë dhe arrijnë të shmangin rrezikun para portës së mbrojtur nga Berisha. Në minutën e 18-të, portieri shqiptar i mohon golin Vitolos me një pritje të shkëlqyer.  

Në minutën e 35-të, Shqipëria regjistron rastin e parë për gol, kur pas krosit të lenjanit nga e majta Roshi godet fluturimthi topin, që përplaset në pjesën e jashtme të rrjetës.

Pjesa e parë mbyllet me rezultatin e bardhë 0-0, ndërsa pjesa e dytë e nis sërish në shenjën e spanjollëve, të cilët arrijnë të gjejnë golin e avantazhit në minutën e 55-të. Berisha përpiqet të largojë topin nga zona e tij, por e godet keq duke u falur topin spanjollëve, që zënë në befasi mbrojtjen dhe pas një kombinimi mes David Silva-s dhe Diego Costa-s, ky i fundit shtyn topin në rrjetë.

Miqtë shfrytëzojnë këtë moment të mirë dhe vetëm shtatë minuta më vonë arrijnë të gjejnë golin e dytë me anë të Nolitos, i futur në fushë në minutën e 60-të. Sulmuesi depërton në zonë nga e majta duke dribluar Hysajn dhe befason Berishën me një gjuajtje diagonale duke fiksuar shifrat në 0-2. Deri në fund kuqezinjtë përpiqen të ndryshojnë rrjedhën e lojës, por nuk ia arrijnë qëllimit.

Pas kësaj humbjeje, Shqipëria renditet në vendit e tretë me 6 pikë në Grupin G, po aq kanë edhe izraelitët të cilët fituan me rezultatin e ngushtë 2-1 ndaj Liehtenshtejnit.

Spanja dhe Italia (e cila fitoi 3-2 në Maqedoni) ndajnë vendin e parë në grup me nga 7 pikë secila.

Maqedonia dhe Liehtenshtejn ndajnë vendin e fundit me 3 humbje në 3 ndeshje të luajtura në eliminatore.

Eliminatoret e Botërorit “Rusi 2018”, Grupi F

SHQIPËRI – SPANJË 0-2

Shënues: Diego Costa 55′, Nolito 63′

Shqipëria: Berisha; Hysaj, Gjimshiti, Mavraj, Agolli; Lila, Xhaka (Hyka 75’), Memusha (Basha 68’), Roshi, Lenjani (Aliji 46’); Balaj.

Trajner: Gianni De Biasi

Spanja: De Gea; Piqué, Ramos (Martinez 80’), Monreal; Busquets, Koke, Thiago, Iniesta (Isco 78’); Vitolo (Nolito 60’), Diego Costa, David Silva.

Trajner: Julen Lopetegui