Kombëtarja shqiptare fiton me Lihteshtejnin, jemi të parët! - FSHF

Kombëtarja shqiptare fiton me Lihteshtejnin, jemi të parët!

Kombëtarja shqiptare e futbollit ka triumfuar 2-0 ndaj Lihteshtejnit në ndeshjen e luajtur të enjten mbrëma në transfertën e vlefshme për eliminatoret e Botërorit “Rusi 2018”. Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Gianni De Biasi morën maksimumin nga kjo sfidë duke vijuar kështu nisjen e mirë të edicionit pas asaj fitoreje 2-1 ndaj Maqedonisë një muaj më parë në Shkodër.

Në takimin e luajtur në “The Rheinpark Stadion”, përfaqësuesja shqiptare e nis mirë takimin dhe në minutën e 11-të do të gjente golin e avantazhit me anë të Jahmir Hykës. Mesfushori shtatshkurtër shfrytëzoi mjaft mirë një asist të Balajt, duke goditur saktë me kokë, edhe pse pati nevojë për ndihmën e portierit Jehle që topi të përfundonte përtej vijës së bardhë. Kombëtarja e vendosur në fushë me një formacion më sulmues se zakonisht dominoi pjesën e parë, duke krijuar raste të tjera për shënim. Edhe pjesa e dytë shfaqi të njëjtën tablo me kuqezinjtë që kishin kontrollin e lojës vazhdimisht.

Dhe në minutën e 71-të do të vinte goli i sigurisë për tanët. Fillimisht, Balaj goditi bukur me kokë, por portieri vendas devijoi në ekstrem topin duke shpëtuar një gol të sigurt. Nga goditja e këndit, Hyka pason për te Hysaj, i cili lëshon një krosim perfekt në zonë për Balajn, i cili me një gjuajtje po aq të saktë me kokë shënon për të fiksuar shifrat në 2-0. Rezultati deri në fund nuk do të ndryshonte, duke bërë që kombëtarja të regjistrojë suksesin e dytë radhazi.  

Me këtë fitore, Shqipëria shkon në kuotën e 6 pikëve në grupin G dhe momentalisht ngjitet në vendin e parë, duke lënë pas Spanjën dhe Italinë me nga 4 pikë secila. Të dyja këto skuadra u përballën po te enjten mbrëma në një duel të luajtur në Torino, që u mbyll në barazim 1-1.

Pas 3 ditësh Kombëtarja shqiptare do të luajë në “Loro Boriçi” të Shkodrës ndaj Spanjës.