Miqësorja mes Kombëtares shqiptare dhe Marokut, e luajtur të mërkurën mbrëma në stadiumin e rikonstruktuar të Shkodrës “Loro Boriçi”, ka përfunduar me rezultatin e barabartë 0-0. Kjo ndeshje shënoi edhe përurimin e impiantit që është rindërtuar nga e para dhe që do të presë ndeshjet e Kombëtares. Trajneri Gianni De Biasi zbriti në fushë një formacion me skemën 4-5-1 ku binin në sy rikthimet e Jahmir Hykës dhe Berat Gjimshitit në 11-sh. Kuqezinjtë u shfaqën të rrezikshëm në pjesën e parë, ndërsa rastin më të mirë e ka pasur Cikalleshi në minutën e 25-të. Sulmuesi mori një krosim të bukur të Hysajt dhe goditi me kokë në një pozicion të volitshëm, por topi për fatin e keq përfundoi jashtë kuadratit. Edhe Maroku duhet theksuar se tregoi një nivel të mirë, duke krijuar raste për gol. Mbyllet pa gola një pjesë e parë e mirë për Shqipërinë dhe e dyta fillon sërish me iniciativën në anën e Kombëtares. Në të 49-n Sokol Cikalleshi futet në zonë dhe godet fort, por bën mrekullinë portieri i Marokut, El Kajoui. Pas një ore lojë De Biasi ndërron gjysmën e skuadrës duke nxjerrë nga fusha Lenjanin, Abrashin, Hykën, Gashin dhe Xhakën për t’i bërë vend Veselit, Kukelit, Memushajt, Sadikut dhe Agollit. Në minutën e 71-të në fushë hyn edhe Kaçe për Bashën, ndërkohë që kuqezinjtë vazhdojnë të godasin portën, ndonëse pa arritur të gjejnë golin. Në minutat e mbetura rrjetat mbeten të paprekura dhe pas përfundimit të kohës së rregullt takimi mbyllet me rezultatin e bardhë. Gjithsesi, ishte një test i mirë për Kombëtaren në prag të ndeshjes së parë për Eliminatoret e Botërorit “Rusi 2018” ndaj Maqedonisë, që do të luhet gjithashtu në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës.

















