Kombëtarja, seanca e fundit stërvitore para Spanjës - FSHF

Kombëtarja, seanca e fundit stërvitore para Spanjës

Kombëtarja shqiptare ka zhvilluar të shtunën pasdite seancën e fundit stërvitore në prag të ndeshjes me Spanjën, që luhet të dielën në orën 20:45 në “Loro Boriçi” të Shkodrës. Kuqezinjtë prekën tapetin e impianti shkodran në orën 19:30 për të nisur seancën, ndërkohë që para tyre kishte qenë radha e spanjollëve për t’u ambientuar me fushën.

Grupi i lojtarëve në dispozicion të trajnerit Gianni De Biasi ka qenë i plotë, përfshi edhe Burim Kukelin, i cili pati probleme fizike në ndeshjen e së enjtes ndaj Lihtenshtejnit. Për mesfushorin do të jetë stafi mjekësor që do të vendosë nëse do të mund të jetë i gatshëm për të luajtur ndaj spanjollëve. Seanca e fundit ka zgjatur rreth një orë dhe stafi teknik ka kombinuar si zakonisht pjesën e përgatitje atletike me atë taktike në funksion të ndeshjes, teksa grupi ka punuar kryesisht me topin.

Sakaq, kombëtarja ka zhvilluar edhe një seancë të lehtë stërvitore gjatë paradites së sotme në fushën e stadiumit “Reshit Rusi” të Shkodrës.