Vijojnë përgatitjet e skuadrës përfaqësuese të futsal-it në Prishtinë nën drejtimin e trajnerit Erind Resuli dhe lojtarëve që ai ka grumbulluar për raundin tjetër eleminator, atë të Azerbajxhanit. Dy séanca të plota stërvitore në ditë në një kohë që grupi është i plotë, me përjashtim të futbollistit Mentor Mejzinit i cili ka patur një dëmtim të vogël dhe është stërvitur veçmas nga grupi. Së fundmi ka ardhur edhe një futbollist brazilian i cili ka marrë pasaportën shqiptare dhe tashmë është pjesë e skuadrës, duke nisur nga dita e sotme ku dhe do të nisë stërvitjet. Skuadra kombëtare shqiptare ditën e sotme në orën 20.00 do të ketë një ndeshje kontrolli me ekipin vendas të Feniksit në një kohë që me shumë interes pritet edhe ardhja dhe përfshirja në grup e brazilianit të ardhur, një element shumë i rëndësishëm për ekipin.

















