Kombëtarja e femrave zyrtarizon dy ndeshje miqësore ndaj Turqisë në korrik - FSHF

Kombëtarja e femrave zyrtarizon dy ndeshje miqësore ndaj Turqisë në korrik

Kombëtarja shqiptare e femrave, e drejtuar nga trajneri Armir Grima do të zhvillojë dy ndeshje miqësore ndaj Turqisë më 12 dhe 15 korrik.

Zyra e shtypit në FSHF bën me dije se dy federatat përkatëse kanë rënë dakord që këto dy ndeshje të zhvillohen në Shqipëri. Sfida e parë do të luhet më 12 korrik në stadiumin “Elbasan Arena”,  duke nisur nga ora 18:00, ndërsa ndeshja e dytë do të luhet më 15 korrik në stadiumin “Selman Stërmasi”  në ora 18:00 . Ekipi Kombëtar i femrave do të qëndrojë i grumbulluar në Elbasan nga 10 korriku deri më 15 korrik.

Kjo nuk është miqësorja e parë që Kombëtarja e drejtuar nga tekniku Grima do të zhvillojë për këtë vit, pas miqësores kundër Bosnjë & Hercegovinës në transfertë, ku vajzat kuqezi bënë një paraqitje mjaft të mirë. Këto dy ndeshje do t’i shërbejnë Grimës për të testuar elementet e reja në skuadër, për të krijuar një ide më të qartë mbi skuadrën përpara eliminatoreve të Kupës së Botës 2023, ku Shqipëria është shortuar me Belgjikën, Norvegjinë, Poloninë, Kosovën dhe Armeninë.

Në ditët në vijim, trajneri Grima do të publikojë edhe listën me futbollistet e grumbulluara në prag të këtyre dy sfidave.