Kombëtarja shqiptare e futbollit për femra është mundur me rezultatin 6-0 nga Franca, në ndeshjen e vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Evropian 2017.
Në takimin e luajtur në “Stade Jean Bouin” të Parisit, skuadra e drejtuar nga trajneri Armir Grimaj ka pësuar tre gola në pjesën e parë, ndërkohë që në pjesën e dytë përfaqësuesja kuqezi ka pësuar edhe tre gola të tjerë. Duhet përmendur fakti se përfaqësuesja shqiptare është përballur me ekipin më të fortë të grupit dhe kandidate për të fituar trofeun e kampionit.
Franca është kryesuese absolute e Grupit 3, ku bën pjesë edhe Shqipëria, me tetë fitore në po aq ndeshje në kuotën e 24 pikëve. Pas kësaj fitoreje, francezet janë kualifikuar automatikisht për në fazën finale të Evropianit 2017, ndërsa Shqipëria i mbyll eliminatoret me tetë humbje në tetë ndeshje, me tre gola të shënuar dhe 31 të pësuar. Në Grupin 3, bënin pjesë edhe Rumania, Ukraina dhe Greqia.

















