Kombëtarja e femrave, mbështjetje nga Presidenti - FSHF

Kombëtarja e femrave, mbështjetje nga Presidenti

Ekipi kombëtar i femrave që po përgatitet për ndeshjen që do të zhvillojë pas pak ditëve kundër Greqisë, në stadiumin “Loni Papuciu”, të qytetit të Fierit, ka patur një vizitë sot në drekë, nga Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka. Ai ka biseduar me trajnerin Altin Rraklli dhe vajzat futbolliste për përgatitjet e tyre për dy ndeshjet e rradhës në grupin eliminator me Greqinë më 22 tetor dhe me Rumaninë, më 27 tetor. Presidenti ka inkurajuar skuadrën duke i vlerësuar takimet si shumë të rëndësishme. “Edicionin e kaluar, kur ne konkurronim për herë të parë, në eliminatore, arritëm që pikërisht Greqisë, ti shkëpusnim tri pikët e para zyrtare. Urojmë që një gjë të tillë ta bëjmë edhe të enjten”- deklaroi ndër të tjera Presidenti Duka. Trajneri Altin Rraklli, në emër të skuadrës dhe stafit, falenderoi Presidentin e FSHF, për mbështetjen dhe inkurajimin, jo vetëm për ekipin kombëtar A, por për të gjithë futbollin e femrave.


Duke kontrolluar karten...