KF Tirana ngre trofeun e kampionit në edicionin e 81-të të Kategorisë Superiore - FSHF

KF Tirana ngre trofeun e kampionit në edicionin e 81-të të Kategorisë Superiore

KF Tirana ka ngritur mbrëmjen e sotme në tempullin e futbollit shqiptar “Air Albania”, trofeun e titullit kampion për edicionin e 81-të të Kategorisë Superiore, në sezonin futbollistik 2019-2020.

Sot KF Tirana ka luajtur javën e fundit të Kategorisë Superiore përballë KF Bylis, ku kampionët kanë barazuar me rezultatin 1-1.

Rezultati në këtë ndeshje të fundit të kampionatit nuk ishte i rëndësishëm për bardheblutë që e kishin siguruar titullin matematikisht në javën e 34-t të Kategorisë Superiore.

Tirana arrin të marrë titullin kampion pas një mungese 11 vjeçare, duke numëruar tashmë plot 25 tituj. Ky sezon përkon edhe me 100-vjetorin e klubit të kryqytetit. Bardheblutë e drejtuar nga Emmanuel Egbo, arritën 21 fitore, 7 barazime dhe 8 humbje në 36 javë futbollistike.

Trofeun dhe medaljet e titullit kampion kombëtar, skuadrës së Tiranës ia dorëzoi në stadiumin “Air Albania”, Presidenti i Republikës, z.Ilir Meta sëbashku me Presidentin e FSHF-së, z.Armand Duka dhe Sekretarin e Përgjithshëm z.Ilir Shulku.

Një edicion i paprecedentë ky që u ndërpre në fillim të muajit mars për shkak të shpalljes së pandemisë Covid-19, për të rifilluar pas shumë vështirësive më 3 qershor 2020.