KF Bylis shpallet kampion i Kategorisë së Parë për edicionin 2021-2022! - FSHF

KF Bylis shpallet kampion i Kategorisë së Parë për edicionin 2021-2022!

KF Bylis është shpallur ekipi kampion i Kategorisë së Parë për edicionin 2021-2022 në javën e fundit të kampionatit!

Skuadra mallakstriote humbi ndaj Besës sot në “Adush Muça” me rezultatin 3-2, duke e mbyllur sezonin në vendin e parë me 69 pikë të grumbulluara pas 30 javësh të luajtura. Bylisi ka bërë një sezon mjaft të mirë futbollistik, me 22 ndeshje të fituara, 3 barazime dhe 5 humbje.

Pas përfundimit të ndeshjes në Ballsh është zhvilluar edhe ceremonia e shpalljes së Bylisit si kampion i kësaj Kategorie. Në këtë ceremoni ishin të pranishëm zv.presidenti i FSHF-së, Lutfi Nuriu dhe Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, të cilët i dorëzuan medaljet dhe trofeun e kampiones skuadrës mallakastriote, që siguroi kështu ngjitjen në kampionatin “Abissnet Superiore” në sezonin e ardhshëm.

Ndryshe nga edicioni i kaluar, ky kampionat ishte riformatuar këtë vit dhe u zhvillua me pjesëmarrjen e 16 skuadrave, që u ndeshen midis tyre në dy faza, me sistem vajtje-ardhje. Kampionati zgjati 30 javë, dhe nisi më 11 shtator, duke ulur siparin ditën e sotme.
Së bashku me Bylisin, edhe skuadra e Erzenit ka siguruar ngjitjen në kampionatin “Abissnet Superiore”.