“Karriera përmes futbollit”/ FSHF TV sjell rrugëtimin e përgatitësit atletik të Kombëtares Iris Selimi - FSHF

“Karriera përmes futbollit”/ FSHF TV sjell rrugëtimin e përgatitësit atletik të Kombëtares Iris Selimi

Përgatitja atletike është kthyer në një nga elementët më të rëndësishëm të futbollit modern. Në vitet e fundit, klubet profesioniste i kanë kushtuar gjithnjë e më shumë vëmendje këtij sektori, duke e konsideruar një faktor kyç për suksesin në fushën e lojës.

FSHF TV vijon serinë e reportazheve “Karriera përmes futbollit”, ku prezanton historitë e personazheve që kanë ndërtuar rrugëtimin e tyre profesional falë futbollit. Në episodin e radhës vjen historia e Iris Selimit, një prej emrave më të njohur të përgatitjes atletike në futbollin shqiptar dhe aktualisht pjesë e stafit të Kombëtares së Shqipërisë.

Reportazhi ndalet te rrugëtimi i 42-vjeçarit, i cili megjithëse nuk arriti të luante futboll në nivele profesionale, e ktheu pasionin për sportin në një profesion të suksesshëm. Formimi i tij në shkollën prestigjioze të Koverçanos në Itali shënoi pikënisjen e një karriere që do ta lidhte ngushtë me futbollin.

Pas eksperiencës akademike në Itali, Selimi u rikthye në Shqipëri, ku gjeti mundësinë për të ndërtuar karrierën e tij si përgatitës atletik. Hapat e parë i hodhi pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, ndërsa më pas u bë pjesë e Skënderbeut, skuadrës që në atë periudhë dominonte futbollin shqiptar.

Përmes dëshmive të bashkëpunëtorëve, trajnerëve dhe futbollistëve me të cilët ka punuar ndër vite, reportazhi evidenton rolin e rëndësishëm që Selimi ka luajtur në zhvillimin dhe suksesin e shumë sportistëve. Përkushtimi ndaj profesionit, puna e palodhur dhe dëshira për të dhënë gjithmonë maksimumin kanë qenë karakteristikat që e kanë shoqëruar gjatë gjithë karrierës.

Materiali sjell gjithashtu momentet më të rëndësishme të rrugëtimit të tij profesional, nga puna me ekipet kombëtare të moshave dhe angazhimi në sektorin e edukimit sportiv të FSHF-së, deri te realizimi i ëndrrës së madhe për t’u bërë pjesë e stafit të Kombëtares shqiptare.

Një kapitull i veçantë i reportazhit i kushtohet pjesëmarrjes së Shqipërisë në finalet e Kampionatit Europian “Gjermani 2024”, ku Selimi përjetoi nga afër emocionet e një prej ngjarjeve më të rëndësishme në historinë e futbollit shqiptar.

“Karriera përmes futbollit” është një seri nga reportazhesh e FSHF TV që synon të tregojë historitë frymëzuese të profesionistëve që kanë ndërtuar jetën dhe karrierën e tyre përmes futbollit, duke nxjerrë në pah kontributin e tyre në zhvillimin e lojës në Shqipëri.


Duke kontrolluar karten...