Kampionati Kombëtar U-15 për femra shpall fituesit e grupeve, përcaktohen gjysmëfinalistet - FSHF

Kampionati Kombëtar U-15 për femra shpall fituesit e grupeve, përcaktohen gjysmëfinalistet

Sezoni 2020-2021 është edhe sezoni që shënon implementimin e strategjisë së re për futbollin e femrave, strategji kjo që është ndërtuar nga Federata Shqiptare e Futbollit, me qëllimin e qartë, masivizimin dhe rritjen cilësore të futbollit të femrave në vendin tonë. Pjesë e kësaj strategjie ishte dhe ngritja e Kampionatit Kombëtar U-15.

Ky kampionat filloj në muajin shkurt dhe në këtë edicion të parë marrin pjesë 8 skuadra. Vllaznia, Kinostudio, Teuta dhe Murlanin që garonin ndërmjet tyre në Grupin A dhe Apolonia, Lushanja, Pogradeci dhe Elbasani pjesë e grupit B. Faza e ndeshjeve në grupe u zhvillua me sistemin vajtje-ardhje dhe përfundoi këtë javë me sukses për të grupet, duke përcaktuar në këtë mënyrë edhe katër skuadrat gjysmë finaliste.

Grupi A luajti javën e gjashtë me Derbin e Shkodrës ndërmjet Murlanit dhe Vllaznisë që spikati në javën e fundit. Kjo përballje përfundoi me rezultatin 6-1 në favor të vajzave kuqeblu, të cilat e mbyllën grupin si fitues me pikë të plota pas 6 ndeshjeve. Në vendin e dytë u rendit Kinostudio, me vajzat kryeqytetase që në javën e fundit barazuan ndaj Teutës në Durrës me rezultatin 1-1. Kinostudio me 10 pikë kalon në fazën gjysëm finale. Teuta e mbylli garën me 4 pikë duke u renditur në vendin e tretë ndërkohë që Murlani e katërta me vetëm 3 pikë pas 6 ndeshjeve të luajtura.

Grupi B luajti javën e gjashtë dhe të fundit, me Pogradecin që triumfoi me rezultatin 3-0 ndaj Elbasanit në transfertë, një fitore kjo që i dha mundësi vajzave pogradecare të renditen në vendin e tretë në grup. Derbi i Myzeqes ndërmjet Apolonisë dhe Lushnjes ishte vendimtar për të përcaktuar skuadrën që do të dilte në fazën gjysëm finale si kokë grupi. Lushnjaret vinin në këtë ndeshje me një pikë më shumë se Apolonia. Fieraket kërkonin fitoren për të marrë vendin e parë dhe ja arritën duke shënuar dy gola, nga një në secilën pjesë, duke u ngjitur në fundin e fazës së grupeve në kuotën e 15 pikëve, dy më shumë se Lushnja që kalon në fazën tjetër si skuadra e vendit të dytë.

Në fazën gjysmëfinale Vllaznia do të luajë me Lushnjen ndërkohë që Apolonia do të ketë përballë Kinostudion. Ndeshjet e vajtjes gjysmëfinale do të zhvillohen në datë 15 maj, ato të kthimit në datë 22 maj.

Në javën e fundit të muajit maj, 30 maj, do të zhvillohet dhe finalja e madhe për të përcaktuar kampionen e parë kombëtare të femrave për U-15, në një sezon ku përtej pandemisë u insistua në strategjinë e Federatës së Futbollit për rritjen e mëtejshme të futbollit të femrave.

Renditja finale e Grupit A

Vllaznia 18

Kinostudio 10

Teuta 4

Murlani 3

Renditja finale e Grupit B

Apolonia 15

Lushnja 13

Pogradeci 4

Elbasani 3