Kampionati Kombëtar i Futbollit 5×5 gati të startojë, të martën hidhet shorti - FSHF

Kampionati Kombëtar i Futbollit 5×5 gati të startojë, të martën hidhet shorti

Federata Shqiptare e Futbollit do të organizojë të martën në Tiranë hedhjen e shortit për edicionin e parë të “Kampionatit Kombëtar i Futbollit 5×5”, një risi absolute për futbollin shqiptar. Shorti do të zhvillohet më 24 nëntor, ora 11:00, në sallën e konferencave të stadiumit “Air Abania”, teksa synimi i turneut më të ri të krijuar është të bëjë bashkë futbolldashësit në Shqipëri, për të garuar dhe fituar së bashku.

Në këtë edicion të parë do të marrin pjesë 120 skuadra, që janë regjistruar tashmë, ndërsa kampionati do të shtrihet në të gjithë territorin shqiptar dhe do të zgjasë deri në muajin prill 2021.

Siç edhe dihet tashmë, skuadrat e regjistruara kanë të garantuara fushën e lojës, uniformat, topat e lojës, teksa ndeshjet do të gjykohen nga arbitra profesionistë, do të ketë mjekë e siguri si edhe trofe e premio financiare, që sigurohen të gjitha nga FSHF.

Sa i përket bonuseve, skuadra që shpallet kampione e Kampionatit Kombëtar të Futbollit 5×5 do të përfitojë një shpërblime prej 300,000 lekësh, kurse vendi i dytë fiton 100.000 lekë.
Skuadra e renditur e para në kampionatin rajonal merr si shpërblim 75.000 lekë dhe 5 topa, ndërkohë që vendi i dytë i kampionatit rajonal fiton 25.000 lekë dhe 5 topa.