Kampionati i shkollave 9-vjeçare ul siparin edhe në qytetin e Elbasanit - FSHF

Kampionati i shkollave 9-vjeçare ul siparin edhe në qytetin e Elbasanit

Masivizimi i femrave në futboll është një nga sfidat kryesore të Federatës Shqiptare të Futbollit, që e ka renditur në strategjinë “Futbolli për Kombin 2022-2025” si një ndër prioritetet kryesore të saj. Vitet e fundit vihet re një numër në rritje i vajzave që po praktikojnë sportin e futbollit, që është shtrirë që nga shkollat 9-vjeçare, me kampionatet e ndryshme e deri te kampionati kryesor i femrave ku marrin pjesë 11 ekipe.

Sakaq, përveç Tiranës, edhe në Elbasan ka përfunduar për këtë vit kampionati në shkollat 9-vjeçare, ku morën pjesë 8 shkolla publike dy skuadra private të këtij qyteti: Jeronim De Rada, Fadil Gurmani, Qamil Guranjaku, Sule Misiri, Luigj Gurakuqi, Sule Harri, Bardhyl Popa dhe Myrteza Gjoni, si edhe ekipet private, A.F.F Elbasani dhe Elite Sport.

Me përfundimin e këtij edicioni, FSHF, përmes kreut të Shoqatës Rajonale Elbasan, Ilirjan File u dorëzoi nga një çertifikatë për pjesëmarrjen të gjitha vajzave që morën pjesë në këtë aktivitet kaq të rëndësishëm, që ka si synim jo vetëm rritjen e numrit të vajzave që luajnë futboll, por edhe të shtojë numrin e vajzave që merren me sport, për një jetë sa më të shëndetshme. FSHF dhe SHRF Elbasan janë munduar t’i krijojnë kushte sa më të favorshme këtyre vajzave që janë përfshirë në këtë kampionat në qytetin e Elbasanit.