Kampionati i shkollave 9-vjeçare/ Shkolla “Pezë-Helmes” shpallet kampione në zonën e Tiranës - FSHF

Kampionati i shkollave 9-vjeçare/ Shkolla “Pezë-Helmes” shpallet kampione në zonën e Tiranës

Kampionati i shkollave 9-vjeçare ka ulur siparin e edicionit të dytë edhe për këtë vit futbollistik në zonën e Tiranës. Një iniciativë e FSHF-së për të mbështetur zhvillimin e futbollit të femrave, si një nga prioritetet kryesore dhe shtyllat e strategjisë së “Futbolli për Kombin”. Ky turne i shkollave 9-vjeçare u zhvillua këtë sezon në disa qytete të vendit, Tiranë, Durrës, Shkodër, Korçë, Fier dhe Elbasan, me qëllimin e vetëm për të afruar sa më shumë vajzat me futbollin.

Sakaq, është zhvilluar edhe finalja e madhe në Tiranë, mes dy shkollave 9-vjeçare, “Mihal Grameno” dhe shkollës “Pezë-Helmes”, ku kjo e fundit ka triumfuar me penallti pas barazimit 1-1, në një lojë mjaft të bukur nga të dyja ekipet.

Në fund të ndeshjes, ishte legjenda e futbollit shqiptar, Sulejman Demollari, ai i cili i dorëzoi Kupën e kampioneve vajzave të shkollës “Pezë-Helmes” duke i inkurajuar të vazhdojnë të luajnë futboll dhe të ndjekin ëndrrën e tyre për t’u bërë futbolliste të mëdha.

Shkolla “Pezë-Helmes” shpallet kështu ekipi më i mirë mes 13 shkollave që morën pjesë në këtë garë futbollistike të veçantë dhe të mbështetur nga FSHF-ja  me bazë materiale, si uniforma dhe topa futbolli, duke i ndihmuar dhe asistuar vajzat që janë bërë pjesë e kësaj loje dhe stafet e tyre.