Kampionati i Futbollit i shkollave të Mesme Goal Europe - FSHF

Kampionati i Futbollit i shkollave të Mesme Goal Europe

Elbasan, 11 Maj, 2016. Ekipet e shkollave të mesme “Janaq Kilica” Fier dhe “Besnik Sykja” Tiranë, janë dy skuadrat që do të përballen sot në stadiumin “Elbasan Arena”, në finalen e kampionatit të futbollit të shkollave të mesme “Goal Europe” i organizuar nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri përmes Rrjetit të Informimit të BE-së në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF) dhe Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, në kuadër të aktiviteteve të javës së Evropës.

Në një atmosferë festive, fëmijët do të valëvitin një flamur të madh në mes të fushës me simbolet e BE-së dhe kampionatit Goal Europe, ndërsa ekzekutohen himni i Shqipërisë dhe ai i BE-së. Mijëra tifozë mbështetës të dy skuadrave, nxënës të shkollave të mesme dhe qytetarë të Elbasanit do të jenë të pranishëm në stadium,duke i bërë jehonë vlerave të vërteta që përcjell sporti; miqësia dhe loja e ndershme.

Ndeshja finale dhe ceremonia zyrtare e dorëzimit të kupës dhe medaljeve do të ndiqen nga Ambasadorja Romana Vlahutin, Shefe e Delegacionit të BE-së në vendin tonë, Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Lindita Nikolla, Kryetari i Bashkisë së Elbasanit Qazim Sejdini, përfaqësues të institucioneve vendore dhe FSHF-së. Të rinjtë pjesëmarrës do të përshëndeten nga trajneri i ekipit kombëtar U21 Redi Jupi.

Në kampionatin e shkollave të mesme Goal Europe, i cili ka nisur më 15 Prill 2016 në 6 rajone Tiranë, Durrës, Fier, Elbasan, Korçë and Shkodër kanë marë pjesë mbi 500 fëmijë të cilët kanë zhvilluar rreth 30 ndeshje. 28 skuadra të shkollave të mesme kanë marë pjesë në kampionat, duke u ndeshur si fillim mes skuadrave të cdo rajoni për të zgjedhur ekipin kampion të tij. Kampionati vijoi më pas mes ekipeve kampion për të arritur në finale e 11 majit në stadiumin “Elbasan Arena”.

Goal Europe 2016 organizohet në vigjilje të EURO 2016, kualifikimit historik të kombëtares shqiptare, duke synuar afrimin e të rinjve me vlerat evropiane të sportit dhe kulturës.


Duke kontrolluar karten...