Kampionati i femrave U-16/ Vllaznia mund me penallti Teutën & kurorëzohet kampione - FSHF

Kampionati i femrave U-16/ Vllaznia mund me penallti Teutën & kurorëzohet kampione

Vllaznia e femrave është shpallur kampione e edicionit të parë në kampionatin e grupmoshës U-16, një edicion risi që ngriti siparin në muajin shkurt të këtij viti.

Shkodranet arritën të fitonin titullin e parë kampion për këtë grupmoshë, pasi mundën në finale Teutën e Durrësit, në një ndeshje që nuk prodhoi asnjë gol në kohën e rregullt, duke u mbyllur me porta të paprekura. Disa raste të humbura nga të dyja skuadrat, me nën 16 vjeçaret të cilat përballë një finaleje të tillë ishin edhe nën trysninë e emocioneve të mëdha.

Skuadrat iu drejtuan pikave të bardha të penalltive, me Vllazninë që u tregua më e saktë, duke triumfuar me shifrat 4-3 përmes 11 metërshave.

Ky ka qenë një kampionat mjaft special, në kuadër të mbështetjes për masivizimin e futbollit të femrave, një prioritet absolut i Federatës Shqiptare të Futbollit, që ka incentivuar jo vetëm financiarisht ekipet e femrave, por edhe materialisht.

Kampionati U-16 për femra ishte i organizuar në dy grupe, A dhe B me 12 skuadra në total. Gara zgjati 10 javë, me ndeshjet që u zhvilluan me sistem vajtje-ardhje dhe në fund, dy ekipet e renditura më mirë në secilin grup kaluan në fazën play-off, duke zhvilluar ndeshjet gjysmëfinale, për të përcaktuar më tej finalen e madhe, ku Vllaznia ia doli të kurorëzohej kampione e këtij sezoni të parë.