Kampionati i femrave/ Mbyllet pa surpriza java e nëntë - FSHF

Kampionati i femrave/ Mbyllet pa surpriza java e nëntë

Futbolli i femrave ka mbyllur javën e nëntë të kampionatit këtë fundjavë. Tre ndeshjet e luajtura ditën e shtunë nxorrën fituese skuadrat që shikoheshin favorite. Në Korçë vendaset e Skënderbeut prisnin vajzat e Lushnjës dhe triufuan me rezultatin e thellë 10-1. Korçaret arritën të gjejnë rrjetën që në minutën e 5-të me Repën, teksa dyfishojnë rezultatin me Potomin në minutën e 11-të. Në të 33-n minutë, Potomi shënoi golin e dytë personal dhe të tretin për korçaret. Lushnja përgjigjet një minutë më pas me Balin dhe pjesa e parë mbyllet me shifrat 3-1. Në pjesën e dytë, korçaret shpërthejnë dhe shënojnë edhe 7 gola të tjerë, me dy dopieta që mbajnë emrin e Milos dhe Nickut dhe nga një gol të shënuar nga Malaveci dhe Morava. Ekipi i korçareve është ngjitur në vendin e nëntë me 6 pikë, ndërsa lushnjaret gjenden në vendin e parafundit me 3 pikë.

Ndeshja e dytë mes Apolonisë dhe Juban Danjës nxorri fituese vajzat e Fierit, që vazhdojnë të ruajnë vendin e dytë në klasifikim, në ndjekje të Vllaznisë. Apolonia siguron fitoren që në pjesën e parë, me një dopietë të Gashit në minutën e 31 dhe 40 dhe një gol të Armukut në minutën e 41. 3-0 në favor të fierakeve mbyllet kjo pjesë e parë. Në pjesën e dytë, mendon Gashi, e cila shënon në minutën e 75 golin e katërt për Apoloninë dhe golin e tretë personal. Ndeshja përfundon me rezultatin 4-0 në favor të Apolonisë.

Derbi i kryeqytetit mes Kinostudios dhe Tirana AS është mbyllur në favor të Tirana AS. Një ndeshje e luftuar nga të dyja palët, ku goli i parë erdhi në minutën e 43-të me anë të Trokës. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 0-1. Në pjesën e dytë, Tirana AS i gëzohet dopietës së Goufam, në minutën e 70-të dhe të 83-të. Kinostudio shënon golin e nderit me Cyme Lulaj në minutën e 86, duke regjistruar shifrat finale të ndeshjes 1-3. Tirana AS është ngjitur në vendin e katërt me 19 pikë ndërsa Kinostudio renditet e gjashta në kuotën e 15 pikëve.
Ditën e sotme, ekipi i Tiranës i ka shënuar 13 gola Bilishtit. Një ndeshje e lehtë për vajzat e Tiranës, të cilat i afrohen vendit të dytë që mbahet nga Apolonia, me dy pikë më shumë.

Në derbin shkodran, Vllaznia nuk lëshon dhe i shënon 16 gola ekipit të AAS. 11 gola të shënuar në pjesën e parë dhe pesë në pjesën e dytë, ku bie në sy pokeri i Doçit. Vllaznia vijon të mbajë vendin e parë në grup, pas 9 javësh lojë.
Partizani ka mundur në transfertë Teutën e Durrësit me shifrat 2-8. Për vajzat e kuqe, serinë e golave e hap Agalliu, që në minutën e dytë, teksa në të 17-n Begallo dyfishon rezultatin. Në minutën e 27-të, Dida shënon autogol dhe i dhuron golin e tretë Partizanit. Në të 40-n, Koka shënon golin e katërt dhe pjesa e parë mbyllet me rezultatin 0-4. Teuta reagon në minutën e 52, me anë të Malaj, por gëzimi për vajzat e detit zgjat vetëm 20 minuta, pasi në të 72-n Xhymerti shënon golin e pestë. Golat e tjerë u shënuan nga Tabak në të 77-n dhe Begallo në minutën e 79 dhe 88. Teuta shënoi golin e dytë dhe të fundit në minutën e 81.

Pas javës së nëntë, renditja e skuadrave është si më poshtë:

Vllaznia 27 pikë
Apolonia 24 pikë
Tirana 22 pikë
Tirana AS 19 pikë
Juban Danja 18 pikë
Kinostudio 15 pikë
Partizani 12 pikë
AAS 9 pikë
Skenderbeu 6 pikë
KF Teuta 6 pikë
Lushnja 3 pikë
Bilisht Sport 0 pikë