Kampionati i femrave/ Gola, emocione dhe pikë, mbyllet java e tetë - FSHF

Kampionati i femrave/ Gola, emocione dhe pikë, mbyllet java e tetë

Janë luajtur ditën e sotme pesë ndeshjet e javës së tetë në kampionatin e femrave.

Kjo javë u hap me supersfidën Partizani-Vllaznia, që u mbyll me rezultatin 0-5. Ndeshja nisi e vrullshme nga të dyja palët por ishte Albina Rrahmani ajo që hapi serinë e golave për ekipin e Vllaznisë në minutën e 27. Pjesa e parë u mbyll me shifrat 0-1 në favor të Vllaznisë. Në pjesën e dytë, Zarka shënon golin e dytë për shkodranet në minutën e 52, ndërsa në minutën e 59 ishte Megi Doçi ajo që shënoi golin e tretë nga pika e bardhë e penalltisë. Levenaj shënoi golin e radhës për Vllazninë në minutën e 64 ndërsa Esmeralda Franja vulosi fitoren me shifrat 0-5 në minutën e 84. Për Partizanin, kjo ishte humbja e tretë radhazi dhe është pozicionuar tashmë në vendin e shtatë ndërsa Vllaznia mban vendin e parë, duke kryesuar në kampionat me 3 pikë më shumë se Apolonia.

3 ndeshje të tjera u luajtën në orën 13:00. Vajzat e AAS pritën në Shkodër Kinostudion, një ndeshje e luftuar nga të dyja ekipet, por që përfundoi në favor të mikeve, me rezultatin 0-7.
Juban Danja-Skënderbeu, ndeshje tjetër e vlefshme për javën e tetë të kampionatit u mbyll me rezultatin 4-0, duke i dhënë tre pikë të vlefshme ekipit të Juban Danjës. Dopieta e Jakut në minutën e 5 dhe 17 dhe golat e Selimit në minutën e 41 dhe Vasës në minutën e 43 vulosën fitoren e vajzave të Jubanit.

Tirana mori një fitore ndaj Lushnjës së vendit të nëntë. Ndeshja që u luajt në stadiumin “Roza Haxhiu” në Lushnje, u dominua nga Tirana, që e nisi serinë e golave në minutën e 10 me golin e Vishkullit dhe vijoi serinë e golave me Kodrën në minutën e 15. Goro shënoi katër gola, në minutat 38, 43, 52 dhe 74. Muho shënoi dy herë në portën e lushnjareve, në minutat 47 dhe 90. Simoni, Metalla dhe Aliaj shënuan në këtë fitore të Tiranës që tashmë e sheh veten në vendin e tretë.

Ndeshja e fundit e javës së tetë, Tirana AS – Apolonia përfundoi me shifrat 0-2. Goli i parë i sfidës u shënua në minutën e 66, me Ferataj që shënoi për fieraket. Në minutën e 89, Gashi shënoi golin e dytë dhe të fundit të sfidës. Apolonia vazhdon të mbajë vendin e dytë në kampionat, ndërsa Tirana AS është në kuotën e 16 pikëve.
Bilisht Sport – Teuta u ndërpre për shkak të kushteve atmosferike.

Renditja e skuadrave pas javës së tetë:

Vllaznia 24 pikë
Apolonia 21 pikë
Tirana 19 pikë
Juban Danja 18 pikë
Tirana AS 16 pikë
Kinostudio 15 pikë
Partizani 9 pikë
AAS 9 pikë
Teuta 3 pikë
Skenderbeu 3 pikë
Lushnja 3 pikë
Bilisht Sport 0 pikë