Kaçe dhe Abrashi, konferencë për shtyp në Luksemburg - FSHF

Kaçe dhe Abrashi, konferencë për shtyp në Luksemburg

Ergys Kaçe dhe Amir Abrashi kanë dalë sot në konferencën për shtyp, të programuar sot paradite, në prag të ndeshjes miqësore me Luksemburgun në datën 4 qershor dhe me pas në datën 11 qershor, në ndeshjen eliminatore për Kupën e Botës ndaj Izraelit.

I pari ka folur përpara mediave Ergys Kaçe dhe i është përgjigjur interesit të medias, ku ndër të tjera theksoi: ” Futbolli i ka këto, ndodh qe njëherë je mirë dhe njëherë nuk je mirë dhe kjo ka qenë nga arsyet që nuk kam qenë në kombëtare. Tani gjendja ime është më e mirë dhe jam shumë i kënaqur që jam grumbulluar sërish, sepse kam vite që jam pjesë e ekipit përfaqësues. Është folur shumë mbi të ardhmen time, por momentalisht unë jam te Paoku, nuk e di se cfarë mund të ndodhë me të ardhmen time dhe shpresoj që të luaj sa më shumë. Besoj se skuadra përpara 1 viti apo 2 vitesh ishte më mirë. Nuk mendoj se është faji i mesfushës, pasi cdo repart ka patur rënie, kemi bërë ndeshje të shkëlqyera si ajo në Portugali. Kohët e fundit nuk kemi kaluar një moment shumë pozitiv por po përmirësohemi, duam të fitojmë në Izreal. Kemi shumë lojtarë të mirë në skuadër dhe kam besim se do te marrim rezultat pozitiv. Fizikisht jam shumë mirë edhe pse nuk kam luajtur rregullisht, duam ti fitojmë këto dy ndeshje “-përfundoi Kaçe.

Ndërkohë që Amir Abrashi tregoi dëshirën e madhe që ka për të luajtur dhe mohoi zërat se ka probleme me trajnerin : ”Jam një futbollist që dua të luaj në cdo ndeshje, por është trajneri ai që vendos formacionin. Në skuadër unë nuk jam i vetmi që dua të jem në fushë, janë më shumë se 20 futbollistë që duan të luajnë, unë do të jap maksimumin edhe pse rivaliteti është shumë i madh. Nuk kam pas asnjë problem me trajnerin. Jemi një grup i mirë, por nuk kemi patur as fatin me vete sic ndodhi ndaj Izrealit. Ndaj një skuadre si Spanja është gjithmonë e vështirë, ndërsa ndaj Italisë treguam se kishim potencial duke humbur dy shanse të mira që në minutat e para që mund të ndryshonin fatin e ndeshjes. Duhet të paraqitemi mirë me Luksemburgun të fitojmë, në mënyrë që të shkojmë në Izrael për të dhënë maksimumin për të fituar edhe pse nuk do të jetë e lehtë”,-përfundoi mesfushori i kombëtares.