“Je i qetë si Perandori”, njihuni me Elton Fikajn, talentin e Panathinaikos dhe Shqipërisë U-19 - FSHF

“Je i qetë si Perandori”, njihuni me Elton Fikajn, talentin e Panathinaikos dhe Shqipërisë U-19

I lindur në Greqi, me origjinë nga Shkodra, Elton Fikaj dhe futbolli e kanë rrugën e përbashkët të hershme. Mbrojtësi, i cili në muajin tetor mbush 18 vjeç, është pjesë e kombëtareve të moshave të Shqipërisë dhe së fundmi është bërë edhe pjesë e ekipit të parë të gjigantit grek Panathinaikos. Eltoni ka mësuar herët ta godasë topin e më pas është regjistruar edhe në një akademi, siç rrëfen në rubrikën “Talenti shqiptar”.

“Që i vogël kam qenë me top në këmbë”, nis të tregojë Fikaj. “Hapin e parë për t’u përfshirë në futboll e kam bërë në moshën 5-vjeçare. Atëherë familja ime më regjistroi në akademinë e Apollon Smirnis këtu në Greqi ku unë kam lindur dhe jetoj”, shton mbrojtësi i ri, i cili sigurisht ka pasur mbështetjen e pakushtëzuar të familjes së tij.

“Babai është personi që më ka qëndruar më afër për sa i përket futbollit. Ai më ka këshilluar dhe ka bërë sakrificë të madhe që të arrij deri këtu ku jam sot”, shprehet Fikaj, i cili është pjesë e Shqipërisë U-19 të drejtuar nga Ervin Bulku. Gjithsesi ai rrugëtimin e tij me fanellën kuqezi ai e ka nisur më herët, që me 15-vjeçarët.

“Kur Shqipëria më ftoi për herë të parë, isha shumë i gëzuar. Familja ime u gëzua edhe më shumë. Ndeshja e parë e imja me Shqipërinë U-15 ka qenë kundër Kosovës. Është gjë e bukur të kalosh nga Shqipëria U-15, deri tek U-19. Çdo futbollist do e donte diçka të tillë, por dëshira ime është të luaj një ditë me Kombëtaren A”, shprehet Fikaj.

Së fundmi i riu shqiptar është përfshirë në listën e Panathinaikos për ndeshjet kualifikuese të Champions League dhe këtë gjë ai e komenton kështu: “Kjo do thotë që unë duhet të punoj edhe më shumë që të arrij sa më lart dhe mos të zhgënjej stafin e Panathinaikosit, që besuan tek unë”.

Fikaj ka procuar të luajë në UEFA Youth Champions me moshat e skuadrës greke, ndërkohë që tani pret debutimin me ekipin e parë. Kur shikon që në kampionatet e forta europiane shtohen lojtarët shqiptarë, mbrojtësi parashikon gjëra të mira për Kombëtaren kuqezi.

“Është gjë e bukur të shikosh shqiptarët të luajnë nëpër ekipe europiane, sepse një ditë ne si Shqipëri do arrijmë shumë lart. Edhe unë dua ta ndihmoj Shqipërinë të luajmë në Kupë e Botës”, deklaron adoleshenti shqiptar, i cili e ka një shembull si lojtar. “Shembull kam Mërgim Mavrajn si qendërmrojtës i majtë, pasi aty aktivizohem edhe unë këto tre vitet e fundit”, vijon Eltoni.

Në mbyllje Fikaj rrëfen se e krahasojnë me një emër të rëndë të futbollit gjeman dhe atij botëror, ndërkohë që tregon edhe objektivat që ai ka. “Më krahasojnë me Franz Beckenbauer për qetësinë që kam me topin dhe teknikën. Synimi im është të luaj në një kampionat të fortë europian dhe të ndjek hapat e mbrojtësit të Real Madrid, David Alabës”, përfundon Fikaj.