Java e 6-të e Kampionatit Kombëtar të Femrave, luhen katër ndeshje këtë të shtunë - FSHF

Java e 6-të e Kampionatit Kombëtar të Femrave, luhen katër ndeshje këtë të shtunë

U luajtën ditën e shtunë katër ndeshje të Kampionatit Kombëtar të futbollit të femrave për llogari të javës së 6-të.

Apolonia u përball në transfertë ndaj Partizanit dhe doli triumfuese me rezultatin 5-3. Fieraket dominuan totalisht pjesën e parë duke e mbyllur me avantazhin e thellë 5-0 falë golave të Hamonikajt dhe dopietave të Armokut e Gashit. Në fraksionin e dytë të ndeshjes Partizani provoi të rikthehet në ndeshje dhe arriti të shënojë tre herë me Totën, Milen dhe Begallon. Gjithçka përfundoi me suksesin e bardhëjeshileve që ndodhen në vendin e dytë më pesë fitore dhe një humbje. Juban Danja mundi Lushnjen me rezultatin 5-0. Shkodranet dominuan në pjesën e parë duke shënuar katër herë me Beqiragën, Tanushin, Cakën dhe Selimin. Në pjesën e dytë, Jubani menaxhoi avantazhin dhe arriti të shënojë golin e pestë dhe të fundit të ndeshjes me penalltinë e Paola Jakut në minutën e 55.

Tirana barazoi me Tirana AS në Derbin e Kryeqytetit. Fraksioni i parë i ndeshjes u mbyll në favor të Tiranës, me një gol të shënuar nga Kesjana Goro. Fraksioni i dytë nisi vrullshëm, ku u shënuan edhe tre gola të tjerë. Në minutën e 49’, futbollistja e Tiranës, Spaho, ndëshkohet me karton të kuq, duke e lënë Tiranën në minutat në vijim me 10 lojtare. Dy gola të shënuar nga Coka në minutën e 51 dhe Troka në minutën e 79 i japin avantazh Tirana As. Teksa u duk se ndeshja ishte mbyllur, Vishulli i heq fitoren nga duart vajzave të Tirana As në minutën e 94, duke barazuar ndeshjen me shifrat 2-2.
AAS triumfoi ndaj Skëndërbeut 2-1. Për AAS shënuan në pjesën e parë Ndoci dhe Reshiti, ndërsa në fillim të pjesës së dytë, korçaret i kundërpërgjigjen me golin e Repës, duke ngushtuar rezultatin, por pa ndryshuar fatin e ndeshjes.
Të premten Vllaznia mundi Bilisht Sport në transfertë 11-0, me shtatë gola të Megi Doçit, dy gola të Vuksanit, një gol të shënuar nga Esi Lufo dhe Kodra. Pas kësaj fitoreje, Vllaznia renditet në vendin e parë të kampionatit.
Java e gjashtë mbyllet nesër me ndeshjen Teuta-Kinostudio në qytetin e Durrësit.