“Ja sfidat e organizimit të finales së Conference League në Tiranë. Do t’i kalojmë me sukses” - FSHF

“Ja sfidat e organizimit të finales së Conference League në Tiranë. Do t’i kalojmë me sukses”

Me përcaktimin e finales së madhe dhe historike të UEFA Conference League, kompeticionit më të ri të UEFA-s, të gjithë kanë kthyer sytë nga Tirana dhe stadiumi “Air Albania”, ku do të luhet kjo përballje e madhe më 25 maj. Në një intervistë për emisionin “Sport Magazine” në Ora Neës, drejtori i Marrëdhënieve me Jashtë, Erand Ibrahimi ka folur në lidhje me sfidat e kësaj finaleje si dhe tregon vlerën e shpenzuar nga UEFA për ndryshimet që po pëson stadiumi “Air Albania” për t’iu përshtatur ndeshjes.

Organizimi i finales në Tiranë – Puna e FSHF-së ka nisur që në vitin 2017, kur ka nisur lobimi për të garantuar një finale të madhe siç është finalja e Conference League, që është edhe finalja e parë e këtij formati. Nga pikëpamja e ambientimit me sfidat që sjell ky aktivitet, ne jemi pothuajse të mësuar. Sa vijnë edhe afrohen ditët e finales dhe intensiteti i punës është shumë i lartë.

Vizitat nga klubet finaliste – Dje dhe sot kanë ardhur përfaqësues nga dy ekipet finaliste për të bërë një vizitë inspektimi, nga transporti dhe mobiliteti deri tek elementët teknikë të organizimit të ndeshjes. Nga transporti ku do kalojnë ekipet, hotelet ku do akomodohen ekipet, kanë parë të gjitha ambientet e stadiumit, dhomat e zhveshjes. Është një lloj praktike rutinë që e bëjnë ekipet finaliste për t’u ambientuar me stadiumin dhe për të parë që të përshtatet me kërkesat e tyre.

Pikat e takimit për tifozeritë – Tifozët e Romës do të kenë mundësi ta ndjekin të gjithë ndeshjen tek Amfiteatri, ndërsa tifozët e Feyenoord do të kenë në dispozicion gjithë pjesën e Pedonales. Edhe sheshi “Skënderbej” do të kthehet në një shesh festivali ku do të ketë aktivitete të ndryshme.

Sa është shpenzuar për ndryshimet në stadiumin “Air Albania” – Stadiumi “Air Albania” është një kryevepër edhe nga pikëpamja e infrastrukturës, por edhe organizative. Stadiumi ka nevojë për disa modifikime që janë specifike vetëm për finalen. Nëse do të luhej një ndeshje tjetër, stadiumi do të ishte ekselent ashtu siç është, por po i përshtatemi kësaj finaleje me disa elementë që i përkojnë kësaj ndeshje dhe UEFA po bën një investim që shkon deri në 400 mijë euro. Janë disa elementë që do t’i mbeten trashëgimi stadiumit.

Sfidat e finales së parë të UECL– Është hera e parë që një aktivitet i këtyre përmasave i atribuohet vendit tonë. Edhe sfidat që do vinin bashkë me këtë finale janë shumë të mëdha por do t’i kalojmë bashkë me shumë sukses. Sfidat janë duke nisur nga mobiliteti, si do vijnë tifozët, ekipet, hyrja dhe rënia e bilbilit. Duke qenë një event shumë dimensional, ka edhe pjesë të tjera, siç është mbrëmja gala, që kërkon një vëmendje shumë të veçantë dhe ku do të jetë jo vetëm paria e UEFA-s, FSHF-së, pushtetit qëndror dhe vendor, por edhe të ftuar të tjerë nga bota e futbollit, artit, kulturës. Por gjithashtu për të vazhduar edhe me organizimet e Fan Zonave që duhet të jemi shumë të vëmendshëm, për të krijuar në një anë, të gjithë infrastrukturën që ata të kënaqen dhe të ndjekin ekipin e tyre të zemrës, por edhe duke ruajtur elementet e sigurisë. Janë bërë trajnime shumë intensive dhe shumë frytdhënëse nga UEFA, për të orientuar sjelljen e forcave të rendit ndaj tifozëve.