Itali dhe Greqi, gati seleksionimet për U-15 - FSHF

Itali dhe Greqi, gati seleksionimet për U-15

Bëhet gati plani i seleksionimeve për ekipin kombëtar U-15, që do të krijohet së shpejti. Kjo iniciativë e re FSHF, synon përzgjedhjen e futbollistëve në një moshë të re, për të evidentuar dhe ndjekur në vijimësi ecurinë e tyre.

Sektori i ekipeve kombëtare, ka përgatitur një plan veprimi në lidhje me këtë proçes që do të nisë në muajin gusht. Seleksionimet, me kandidatë të datëlindjes 2002-2003,fillimisht do të zhvillohen në Itali dhe në Greqi. Më 11 dhe 12 gusht, seleksioneret shqiptare do të vëzhgojnë në Siena dhe Modena, kandidatët që jetojnë në Itali. Në dy ditët e ardhshme, pra më 13 dhe 14, seleksionimet do të zhvendosen në Greqi, ku për dy ditë në Athinë do të vëzhgohen lojtarë që jetojnë atje.

Prej vitesh, Federata Shqiptare e Futbollit, ka përgatitur nëpërmjet sektorit të ekipeve kombëtare, një strategji për ndjekjen dhe seleksionimet e futbollistëve shqiptarë, që luajnë jashtë Shqipërisë. Sipas një grafiku të përpiluar më parë, janë zhvilluar seleksionime me futbollistë të U-17 dhe U-19, që luajnë në Itali, Greqi, Zvicër dhe Gjermani. Më pas seleksionimet kanë vazhduar edhe me futbollistë që luajnë në Shqipëri e Kosovë. Vetëm këtë vit për moshat U-17 dhe U-19, në të gjitha seleksionimet e zhvilluara në Itali, Greqi, Zvicër (këtu u vëzhguan edhe futbollistë që luanin në Gjermani) dhe Shqipëri (u vëzhguan edhe futbollistë nga Kosova), kanë kaluar në filtrin e specialistëve më të mirë të FSHF rreth 1200 kanditatë, që janë vëzhguar dhe skeduar, nga sektori i ekipeve kombëtare.

Ja cili do të jetë grafiku i seancave seleksionuese:

  • Siena: Më datë 11 gusht nga ora 16.00-20.00
    Adresa: Via Veterani dello Sport, 1. 53100 Località San Miniato, Siena
  • Modena: Më datë 12 gusht nga ora 10.00-13.00
    Adresa: Campo Sportivo G. Vaccari di Nonantola (MO). Via RisorgimentoNonantola, Modena
  • Athinë: Më datë 13 ora 18.00-20.00 dhe 14 gusht nga ora 09.00-11.00.
    Adresa: Qendra Sportive PAO ROUF. Petrou Ralli Tk 17778 Athinë