Investimi i Federatës Shqiptare të Futbollit në Lushnjë po konkretizohet me ritme shumë të shpejta, teksa për pak ditë përfundon plotësisht rindërtimi nga e para e aneksit të ri të stadiumit “Roza Haxhiu”. Fusha e re i ka ndryshuar totalisht fytyrën infrastrukturës sportive Lushnjes, ndërsa punimet vazhdojnë edhe për dy fushat e tjera, që pritet të sjellin një ndryshim vërtetë cilësor për futbollin e Lushnjes në të gjitha nivelet. Kompletimi i investimit madhor të FSHF-së, që këtë projekt po e implementon në bashkëpunim me Bashkinë e Lushnjes, do të finalizohet me ndërhyrjen fushën e stadiumin “Roza Haxhiu” për ta rikthyer në standardet më të mira.
Me këtë investim Lushnja do të njohë ndërhyrjen dhe transformimin rrënjësor të komplekseve sportive, stadium i rinovuar, tre fusha standard të përmasave dhe kualitetit për të përmbushur, jo vetëm nevojat stërvitore të ekipeve zinxhir, por edhe për të pritur edhe fëmijë e të rinj amator të qytetit e më gjerë.
Fushat e reja do të shërbejnë për seancat stërvitore të ekipit të parë dhe stërvitjet e ekipeve zinxhir, ndërkohë që do të jenë në dispozicion edhe për të gjitha ekipet dhe aktivitetet sportive të shkollave.
Infrastruktura sportive ka qenë në fokusin e vazhdueshëm të Federatës Shqiptare të Futbollit, që ka ndërhyrë në shumë stadiume të vendit, por edhe fusha të shumta stërvitore edhe në kuadër të projektit të 100 fushave, që ka gjetur mbështetjen e disa bashkive. Ndërhyrje në infrastrukturë nga ana e FSHF-së, përveçse në Lushnje, janë bërë edhe në Kukës, Shkodër, Durrës, Tiranë, Bulqizë, Maliq e Gjirokastër, duke i dhënë një mbështetje të madhe zhvillimit të futbollit
Federata Shqiptare e Futbollit fton edhe një herë çdo njësie vendore në Shqipëri apo çdo subjekti të interesuar që ka dëshirë të bashkëpunojë me Federatën për të ndryshuar infrastrukturën sportive në dobi të fëmijëve, futbollit dhe të ardhmes së tij.

















