Vazhdojnë intensivisht punimet për rikonstruksionin e stadiumit të Elbasanit. Këto punime, kanë mbyllur javën e tyre të 24-të dhe përfaqësuesit e firmës Trema, që merren me këtë projekt deklarojnë, se “pavarësisht kohës së keqe, gjithçka po ecën sipas parashikimit”. Punimet vazhdojnë kryesisht në tribunat e stadiumit dhe në të gjithë komponentët e tjerë, përfshi këtu instalimet e ndriçimit dhe të ujit, përforcimet e ndryshme me hekur dhe beton si edhe shumë element të rëndësishëm teknikë. Nga ana tjetër, po punohet për dhomat e zhveshjes në tribunat qendrore si edhe për betonimin e 7 grupimeve të banjove, që do të ketë ky stadium. Në sektorin e investimeve në Federatën Shqiptare të Futbollit, mëson se kanë nisur punimet edhe për rikonstruksionin e fushës sa i takon kanaleve kulluese dhe shtresave të tjera. Në fillimin e muajit korrik, pritet që të shtrohet edhe tapeti i gjelbër, që do të ketë gjithë kohën e nevojshme për të qenë gati në ndeshjen e parë që do të zhvillohet në muajin tetor.

















