Inaugurohet stadiumit i ri, ka festë në Kukës! Presidenti Duka: Ditë historike për futbollin shqiptar - FSHF

Inaugurohet stadiumit i ri, ka festë në Kukës! Presidenti Duka: Ditë historike për futbollin shqiptar

Stadiumi “Kukës Arena”, xhevahiri i ri i futbollit shqiptar është inauguruar këtë shtunë në mbrëmje me një ceremonisë festive që i parapriu sfidës së “Abissnet Superiore”, Kukësi-Laçi. Një impiant modern që i shtohet “gjerdanit” të infrastrukturës sportive në këtë, e që ofron kushte ideale, për ekipet, tifozët dhe mediat, duke plotësuar të gjitha kriteret e UEFA-s. Stadiumi i ri ishte i mbushur plot e përplot në këtë ditë të shënuar që do të mbahet mend gjatë.

Për të shijuar stadiumin e ri të pranishëm edhe personalitete të larta të vendi, duke filluar nga Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, Kryeministri Edi Rama, Kryetari i Bashkisë së Kukësit, Safet Gjici, Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi, Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, etj. Pasi vizituan impiantin e ri dhe u njohën me kushtet e shkëlqyer që ky stadium ofron, të katër personalitet e larta dhanë edhe një prononcim për median, ku u shprehën mjaft të surprizuar për këtë investime madhor i bërë i mundur nëpërmjet bashkëfinancimit të FSHF dhe qeverisë shqiptare.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, u shpreh se kjo është një ditë historike për futbollin shqiptar dhe theksoi se Shqipëria tashmë ka katër stadiume të reja moderne.

“Sot është një ditë vërtetë historike për futbollin shqiptar në përgjithësi sepse inaugurojmë një vepër madhore. Po të kemi pak memorie vetëm tetë vite më parë Shqipëria vuante për një stadium ku të zhvillonte ndeshje ndërkombëtare. Sot kemi plot katër stadiume të reja, falë një bashkëpunimi shumë të mirë të FSHF-së me qeverinë. Unë dua të falënderoj Kryeministrin dhe Ministren e Arsimit, Sportit dhe Rinisë për mbështetjen me fonde dhe gjithçka tjetër për ndërtimin e këtij stadiumi. Njëkohësisht dua të falënderoj Kryetarin e Bashkisë Kukës, njëkohësisht Presidenti nder i klubit të Kukësit, i cili në një farë mënyrë e ka merituar që ta sjellë këtë investim në Kukës, pasi është edhe një meritë personale e Safet Gjicit. Para tij Kukësi kishte pak histori në futboll, por ai e nisi me një ekip që nderoi të gjithë futbollin shqiptar në arenën ndërkombëtare, me rezultate mbase detyroi edhe Kryeministrin dhe Federatën që t’i kthejnë sytë nga Kukësi, sepse edhe këtu duhet të investohet dhe jam shumë i lumtur që sot kemi këtë impiant të mbushur me spektatorë”, – tha Presidenti Duka duke theksuar faktin se Shqipëria do të presë këtë vit një ndeshje historike europiane siç është finalja e UEFA Conference League, teksa shprehu dëshirën që Kombëtarja të përsërisë një tjetër sukses duke u kualifikuar për në finalet e Euripianit të ardhshëm.

“Padyshim që puna nuk do të ndalet këtu, investime të tjera do të ketë besoj edhe stadiume të tjera, por kryesisht për fusha të reja futbolli. Kjo vepër infrastrukturore hapet në prag të një eventi shumë të madh që ne do të kemi në Tiranë, finalen e UEFA Conference League, që është një ngjarje madhor për futbollin europian në përgjithësi dhe historik për Shqipërinë, sepse është hera e parë që organizon një event të këtyre përmasave. Unë uroj që futbolli shqiptar në arenën ndërkombëtare t’ia shpërblejë tifozëve me një tjetër sukses siç ishim pjesë e EURO 2016, ta bëjmë Shqipërinë pjesë edhe të finaleve të EURO 2024, pasi shqiptarët e duan shumë futbollin. Përderisa e dashurojnë kaq shumë futbollin e meritojnë një mbështetje me këto impiante dhe me më shumë fusha futbolli, meritojnë më shumë fëmijët tanë për t’i siguruar të ardhmen. Padyshim që është bërë shumë, po duhet bërë akoma edhe më shumë. Edhe një herë falënderoj shumë Kryeministrin, zonjat ministre dhe Kryetarin e Bashkisë Kukës për të gjithë këtë bashkëpunim dhe realizimin e këtij stadiumi”, – tha Presidenti i FSHF-së.

Ndërsa Kryeministri Rama vlerësoi realizimin e “Kukës Arena”, që sipas tij do të ndikojë edhe në jetën sociale të qytetit përveçse në futboll.

“Impiantet e reja moderne me të gjitha kushtet optimale e ndryshojnë dhe përmbajtjen e ndjekësve në ndeshje. Shikon vajza, shikon familje, që janë së bashku me djemtë dhe burrat që janë ndjekësit e zakonshëm të futbollit dhe ndjen frymëmarrjen shumë më paqësore dhe shumë më sociale të stadiumit. Ky është një moment i bukur, sepse mbaruam një punë, e cila pati vështirësitë e veta për shkak të pandemisë e problematikave me industrinë e ndërtimit, por kjo vepër mbaroi dhe tani ne duhet të shohim më tutje dhe për më shumë. Puna për futbollin në Kukës nuk do ndalet vetëm te stadiumi, po bëhet edhe fusha tjetër e stërvitjes dhe njëkohësisht janë edhe dy fusha të tjera që me mbështetjen e Federatës Shqiptare të Futbollit po ndërtohen në mënyrë që t’u jepet mundësi të gjithë ekipeve zinxhir, t’u jepet mundësi të gjithë fëmijëve që të përfshihen në lëvizjen futbollistike. Ky vit shënon një kulm për aktivitetin sportiv në historinë e vendit tonë, pasi për herë të parë në histori ne do të mikpresim një finale europiane të futbollit ne “Air Albania” stadium, diçka e paimagjinueshme deri para disa vitesh, kur ekipi kombëtar ishte i detyruar të emigronte për të luajtur ndeshjet e shtëpisë, pasi nuk kishte një shtëpi të vetin. Gjë që u bë realitet për ekipin kombëtar, u bë realitet për kampionatin kombëtar dhe tani është realitet dhe për futbollin europian”, – tha Rama.

Kryetari i Bashksië Kukës, Safet Gjici falënderoi në fjalën e tij FSHF-në dhe qeverinë shqiptare për këtë investim madhor, që plotëson të gjitha standardet për ndeshje ndërkombëtare. “U jemi mirënjohës për atë që kanë beri për stadiumin e Kukësit. Faleminderit të gjithë atyre që kanë kontribuuar për ta realitet këtë vepër. Ta gëzojnë kuksianët dhe futbolli shqiptar”, – tha Gjici.

Një urim bëri edhe Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi u shpreh se qyteti i Kukësit e meriton këtë investim kaq cilësor. “E meriton qyteti dhe ekipi i Kukësit këtë investim. Tani Kukësi më në fund do të luajë në shtëpinë e vet. Jemi shumë krenarë sot për këtë premtim të mbajtur, që do t’i japë një zhvillim ekonomik dhe sociale qytetit”, – tha Ministrja Kushi.


Duke kontrolluar karten...