I frymëzuar nga Hysaj dhe gati t’ia ndjekë gjurmët, njihuni me Albi Kolecin, mbrojtësin e U-17-s - FSHF

I frymëzuar nga Hysaj dhe gati t’ia ndjekë gjurmët, njihuni me Albi Kolecin, mbrojtësin e U-17-s

Lezha ndër vite ka rritur futbollistë. Vite më parë spikaste me Shqipërinë e madhe Bledar Kola dhe me siguri në qytetin verior krenohet me të. Tashmë ai qytet po prodhon për kombëtaret e moshave dhe një prej tyre është Albi Koleci, 16-vjeçari që ka qenë pjesë e moshave të Besëlidhjes dhe tani ka kaluar te Brians.

Albi nuk ka pasur nevojë që dikush ta shtyjë drejt futbollit. Dëshirën e ka pasur të madhe për të luajtur dhe tani po aq të madhe duhet ta ketë vullnetin për të bërë karrierën që ëndërron. Në gjurmët e kujt do të ecë ai e rrëfen edhe për rubrikën “Talenti shqiptar” për “fshf.org”. Si e nisi, emocionet që ka kur është pjesë e Shqipërisë, idhujt dhe gjithçka tjetër e thënë nga goja e tij.

 

– Albi, si ka nisur dashuria juaj për futbollin? Sa vjeç ishit kur topi u bë i pandashëm për ju dhe kush ju shtyu më shumë drejt këtij sporti?

– Dashuria ime për futbollin ka nisur që në moshën 7 vjeç dhe ka qenë dëshira ime që më shtyu drejt këtij sporti.

– Kush është personi që ju këshillon më së shumti në lidhje me futbollin dhe që ju qëndron më afër?

– Personi që më këshillon më së shumti në lidhje me futbollin dhe më qëndron më afër është babai. Gjithashtu edhe daja im më mbështet dhe më këshillon shumë.

– Pse keni zgjedhur të luani mbrojtës, kur të gjithë dëshirojnë më së shumti të luajnë përpara e të shënojnë gola?

– Unë zgjodha që të luaj mbrojtës sepse aty ndihem më mirë se në çdo pozicion tjetër dhe më pëlqen që të ndihmoj skuadrën në aspektin difensiv.

– Si jeni ndjerë kur morët për herë të parë ftesën nga Shqipëria U-17? Çfarë kujtoni nga grumbullimi dhe ndeshja e parë?

– Kur mora ftesën për herë të parë nga Shqipëria U17, u ndjeva shumë i lumtur sepse ishte diçka që kisha punuar për ta arritur. Nga grumbullimi dhe ndeshja e parë u ndjeva shumë i emocionuar, pasi nuk kisha pasur eksperienca të tilla më parë. Ishte diçka shumë e bukur.

– Si ndiheni që jeni pjesë e kombëtareve të moshave, si lojtar i një akademie vendase?

– Unë ndihem shumë mirë që jam pjesë e kombëtareve të moshave, madje duke pjesë e tyre nga një akademi vendase.

– A shikoni diferencë me lojtarët që vijnë nga jashtë vendit?

– Lojtarët që vijnë nga jashtë vendit kanë cilësi shumë të mira, por që nuk kanë ndonjë diferencë të madhe me ne që luajmë në Shqipëri.

– Kush është lojtari shqiptar që ju motivon më së shumti, që e keni si shembull? Po lojtari i huaj?

– Lojtari shqiptar që më motivon më së shumti është Elseid Hysaj, pasi ka dalë nga një vend i vogël dhe ka arritur shumë. Ndërsa lojtari i huaj që më pëlqen është Kyle Walker.

– Vetë ju personalisht, cilin keni synimin më të madh në futboll? Ka një futbollist në gjurmët e të cilit do të donit të ecnit?

– Synimi im më i madh në futboll është që të luaj me kombëtaren e madhe. Do të doja të ecja në gjurmët e Elseid Hysajt.