Hysaj, goli i parë në Serie A! - FSHF

Hysaj, goli i parë në Serie A!

Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj ka shënuar të shtunën mbrëma golin e tij të parë në Serie A me skuadrën e Napolit! Shkodrani realizoi në minutën e 8-të të sfidës ndaj Sassuolo-s pas një goditjeje të bukur nga jashtë zone.

Napoli e fitoi sfidën 2-0, ndërsa Hysaj luajti për 90 minuta. Ky ishte i pari gol për shqiptarin pas 193 paraqitjesh në 5 sezone me klubin e njohur italian në ligën elitare italiane.

Kujtojmë se sezonin e tij debutues në Serie A mbrojtësi e ka zhvilluar me Empolin.

Edhe Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka e ka uruar Elseid Hysajn për golin dhe shpreson që shkodrani të ruajë këtë formë edhe për ndeshjet e Kombëtares, që nisin në shtator.

Përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, kreu i qeverisë së futbollit shkruan: “I lumtur për golin e parë me Napolin në Serie A të Elseid Hysajt! Një realizim i shkëlqyer nga mbrojtësi shkodran, që ndihmoi skuadrën të merrte atë fitore 2-0 ndaj Sassuolos. Më vjen mirë që e pashë në formë të shkëlqyer dhe uroj të vazhdojë kështu, sepse në shtator Kombëtarja shqiptare nis aventurën e saj në Nations League dhe kuqezinjtë do të kenë nevojë edhe për klasin e tij! Edhe një herë, shumë urime Elseid Hysaj!”.

Në sezonin 2019/20 Hysaj numëron 23 prezenca me Napolin, 19 në kampionat dhe 5 në Kupën e Italisë, si edhe 2 asiste. Edhe me Kombëtaren shqiptare, kapiteni ka realizuar vetëm një gol, atë në fitoren 4-2 ndaj Islandës më 9 tetor 2019 në “Elbasan Arena”, sfidë e vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Evropian.