Hidhet shorti, zbardhet kalendari i plotë i kampionatit të femrave për edicionin 2022-2023 - FSHF

Hidhet shorti, zbardhet kalendari i plotë i kampionatit të femrave për edicionin 2022-2023

Federata Shqiptare e Futbollit hodhi këtë të shtunë shortin për sezonin e ri të Kampionatit Kombëtar të Futbollit të Femrave që nis fundjavën e ardhshme, më 18 shtator.

Të pranishëm në këtë short që u zhvillua në ambientet e ‘Shtëpisë së Futbollit’ ishin specialistët e Departamentit të Garave, Endi Hyka dhe Erald Shera, si edhe përfaqësuesit e disa prej klubeve pjesëmarrëse në këtë kampionat, të cilët u njohën me kalendarin për 18 javët e këtij edicioni të ri.

Në ndryshim nga sezoni i fundit, dy skuadrat, Tirana AS dhe Atletik Club janë atashuar pranë klubeve profesioniste si Kukësi dhe Laçi. Sipas kriterit sportiv të licencimit, duke nisur nga ky sezon futbollistik, çdo skuadër meshkujsh që do të marrë pjesë në Kupat e Europës, duhet të ketë patjetër një skuadër femrash të atashuar në klubin përkatës.

Kështu, drejtuesit e skuadrës të Kukësit kanë rënë dakord me drejtuesit e ekipit të femrave të Tirana AS që kjo skuadër të atashohet pranë klubit verior, ndërsa drejtuesit e skuadrës së Laçit kanë rënë dakord me drejtuesit e ekipit të Atletik Club që ky ekip të atashohet pranë klubit të Laçit.

Kampionati këtë edicion përbëhet nga 10 skuadra dhe do të zhvillohet i ndarë në dy faza, me çdo skuadër që do të luajë 18 ndeshje.

Pas shortit, dy nga përfaqësueset e klubeve që ishin të pranishme në këtë short dhanë nga një prononcim të shkurtër për fshf.org.

Trajnerja e ekipit të Tiranës, Aurora Seranaj komentoi shortin dhe tregoi objektivat e Tiranës për këtë edicion. Ajo flet edhe për futbollin e femrave në Shqipëri dhe rritjen që ka pasur vit pas viti.

”Sa i përket shortit, për mua si trajnere çdo ndeshje është e rëndësishme, qoftë ajo në vend të parë apo në vend të fundit. Do të luftojmë dhe në çdo ndeshje të arrijmë pikët maksimale si dhe objektivat e Tiranës janë të përmirësojmë nivelin dhe të përmirësohemi çdo ditë. Kam një grup të mirë vajzash që po punohet ndryshe nga herët e tjera dhe projektet janë afatgjata.

Futbolli i femrave është në rritje. Shoh edhe interesin e FSHF-së që është shumë i madh. Një gjë e mirë për futbollin e femrave pasi tashmë ka shumë interes nga vajzat, si të vogla, si të rritura dhe shumë ekipe që po përhapen dhe kjo është një gjë e mirë për vendin tonë’’ – tha Aurora Seranaj për fshf.org.

Ndërkaq, edhe trajnerja e ekipit të Partizanit të femrave, Berta Lako foli shkurtimisht për shortin dhe përballjet e Partizanit. Ajo thekson se niveli i ndeshjeve në futbollin e femrave po rritet dita-ditës.

”Së pari dua t’i uroj të gjitha ekipeve pjesëmarrëse në këtë kampionat suksese! Shorti na vuri përballë në këtë javë të parë me Lushnjen. Sigurisht që kampionati vit pas viti ka ardhur duke u rritur dhe niveli i ndeshjeve është gjithmonë e më i mirë. Kështu që ne nuk kemi të përcaktuara ndeshje të dobëta apo ndeshje të mira. Secila nga ndeshjet për ne është shumë e rëndësishme. Do e vlerësojmë takimin me Lushnjen. Si ndeshje e parë, edhe vajzat nuk janë në 100% e aftësive të tyre, megjithatë ne po punojmë fort.

Kemi një ekip të mirë. Jemi ende në organizim, presim edhe ndonjë prurje të re për ta forcuar edhe më shumë ekipin. Ndihemi mirë, vajzat kanë dëshirë, pasionin, me të gjitha sakrificat që bëjmë. Besoj se do ta nisim mbarë kampionatin!’’ – tha Berta Lako.

Java e parë e kampionatit të femrave:

Vllaznia – Laçi

Kinostudio – Apolonia

Kukësi – Tirana

Lushnja – Partizani

Skënderbeu – Teuta

Kalendari i plotë i edicionit 2022-2023

Kalendari i plote- Kampionati i Futbollit te femrave, sezoni 2022-2023