Pas përfundimit me sukses të edicionit të 23-të të kursit UEFA A, të organizuar nga Federata e Futbollit në bashkëpunim me UEFA-n, një grup trajnerësh të rinj iu bashkuan familjes së profesionistëve të licencuar në futbollin shqiptar. Mes të diplomuarve ishin edhe ish-lojtari i Kombëtares shqiptare, Klaus Gjasula, ish-futbollisti i njohur Olsi Teqja, si dhe ish-futbollistja e FC Kinostudio, Edmira Palaj.
Në prononcimet e tyre për fshf.org, trajnerët e sapolicencuar vlerësuan nivelin e kursit, eksperiencën e fituar gjatë këtij rrugëtimi dhe ndanë objektivat e tyre për të ardhmen në karrierën e trajningut.
Klaus Gjausla u shpreh se e gjithë eksperienca e marrë në këtë kurs ishte shumë e vlefshme për të. “Për mua ishte shumë e rëndësishme për të marrë këtë diplomë sepse të ardhmen time e shoh në futboll, dua të vazhdoj si trajner. E gjithë kjo eksperiencë që kam marrë në këtë kurs, është shumë e rëndësishme për të ardhmen time”.
Si e vlerëson ecurinë e kursit? – Kam mësuar shumë, ishte një eksperiencë e mirë për të dëgjuar edhe komentet e pjesëmarrësve të tjerë në këtë kurs. Gjithmonë mësohen gjëra të reja.
Synimet për të ardhmen – Kam shumë objektiva, nuk dua t’i them të gjitha. Jam një njeri që po nisa diçka, dua ta përfundoj mirë dhe të nxjerr maksimumin, siç kam qenë si lojtar, ashtu dua të jem edhe si trajner.

Olsi Teqja falënderoi FSHF-në, profesorët dhe të gjithë pjesëmarrësit në këtë rrugëtim të tijin për të marrë licencën UEFA A. “Dua ta nis me falënderime. Falënderimet e mia shkojnë për FSHF-në, për kursin UEFA A si edhe për stafin që na rriti më shumë dijet, për të gjithë kolegët që ishin të pranishëm në këtë kurs. Na vlen shumë për të ardhmen, është një profesion që do shumë përkushtim, përulësi. Do na shërbejë shumë ky licencim në të ardhmen”.
Ndryshimi si sportist dhe tani si trajner – Ndryshon kur je sportist dhe kur je trajner. Kur je sportist, do mendosh për veten tënde kurse si trajner do të mendosh për të gjithë. Është shumë herë më e vështirë të jesh trajner se sportist. Aktualisht vij nga një eksperiencë si asistent te Tirana, Laçi dhe trajner i U-15 te Tirana Academy. Do të doja të falënderoja edhe klubin tim sepse më ka rritur shumë profesionalisht dhe e shoh veten si çdo trajner, me ëndrra shumë të mëdha, por duhet që me përulësinë më të madhe të rrisim dijen, pasionin dhe të shkojmë aty ku çdo njeri ka ëndrrën e tij.

Edhe ish-futbollistja e Kinostudios, Edmira Palaj, në prononcimin për fshf.org falënderon FSHF-në për mundësinë dhe vlerëson nivelin e kursit.
“Jam Edmira Palaj. Jam tek ekipi i FC Kinostudio, synimet e mia janë që të arrij sa më lart. Morëm shumë njohuri, profesorët ishin shumë të mirë dhe të aftë. Falënderoj FSHF-në dhe të gjithë ata që na dhanë këtë mundësi për të marrë UEFA A”.
Komente për pjesëmarrësit e tjerë në kurs? – I vlerësoj shumë se ata kanë qenë idhujt e mi dhe janë një shembull për t’u ndjekur.


















