Vazhdon turi i seminareve me skuadra të Kategorisë Superiore që Sektori i Garave, po organizon këto ditë. Pas Tiranës dhe Elbasanit, rradha i ka ardhur Vlorës dhe Fierit. Shefi i Sektorit Lysien Nurishmi ka qenë i pranishëm pranë ekipit të Flamurtarit dhe atij të Apolonisë, për të zbërthyer ndryshimet më të fundit në Rregulloren e Futbollit. Kjo iniciativë e këtij sektori do të vazhdojë edhe më gjerë me klubet e Kategorisë Superiore dhe asaj të parë, sipas një grafiku të përcaktuar më parë. Ndër gjërat kryesore që shtjellohen në këtë seminar, janë:
- Interpretimi i prekjes së topit me dorë brenda zonës, në të cilat kur dora del jashtë trupit dhe kur lojtari lëviz me qëllim për të ndaluar topin, në çdo rast është 11-metërsh.
- Interpretim i pozicionit jashtë loje.
- Dhënia e kartonit të kuq, për lojtarin që i heq mundësinë e shënimit të golit, sulmuesit kundërshtar. Në këto raste është hequr koncepti I lojtarit të fundit.
Këto seminare për skuadrat e Kategorisë Superiore, do të vazhdojnë me Skënderbeun, Kukësin, Vllazninë dhe Laçin.

















