Kombëtarja shqiptare e futsallës, ka fituar thellë 6-3, në ndeshjen e saj të tretë për eliminatoret e Kampionatit Europian të Futbollit që po zhvillohet në Kaunas të Lituanisë. Djemtë kuqezinj të drejtuar nga trajneri Erind Resuli, dominuan ndaj kundërshtarëve të Maltës. Gjatë gjithë takimit superioriteti i futbollistëve tanë ishte i dukshëm dhe fitorja ishte plotësisht e merituar. Kontribut në arritjen e saj, sipas informacioneve kanë patur të gjithë djemtë që kanë luajtur mirë. Golat për ekipin tonë kombëtar janë shënuar nga Halimi (2 gola), Brahimi (2) si edhe Begaj (1 gol) dhe Karaja (1 gol).
Për fat të keq, rezultati i kësaj ndeshjeje, nuk mund të ndryshonte verdiktin e përcaktuar që pas ndeshjes së dytë, kur Franca pas fitores minimale me skuadrën tonë përfaqësuese, fitoi të drejtën për tu kualifikuar për në fazën tjetër (nga cdo grup kualifikohet vetem skuadra që siguron vendin e parë). “Ishte një përfaqësim dinjtoz i skuadrës dhe për këtë dua ti përgzoj të gjithë djemtë, që u treguan vërtet në lartësinë e detyrës. Mëkat, që nuk arritëm dot të përmbysnim avantazhin e Francës, në ndeshjen e dytë. Gjithsesi, tani duhet të shikojmë përpara, në mënyrë që skuadra të rritet edhe më”-deklaroi për faqen zyrtare të FSHF, trajneri i kuqezinjve të futbsallës, Erind Resuli. Shqipëria fitoi 2-0 në ndeshjen e parë kundër Lituanisë, humbi 0-1 në ndeshjen e dytë kundër Francës dhe fitoi sot, në ndeshjen e tretë kundër ekipit të Maltës, duke u renditur në vendin e dytë në grup me gjashtë pikë.

















