Futsall / Shqipëria njeh kundërshtarët për Kupën e Botës 2024 - FSHF

Futsall / Shqipëria njeh kundërshtarët për Kupën e Botës 2024

Kombëtarja shqiptare e futsallës është njohur ditën e sotme me kundërshtarët që do të ketë përballë në Paraeliminatoret e Kupës së Botës së Futsallit 2024. Shqipëria e drejtuar nga trajneri Erind Resuli, është shortuar në Grupin E dhe përballë do të ketë Suedinë, Andorrën dhe Austrinë.

Turneu paraeliminator do të zhvillohet në muajin prill në Suedi, nga data 4 deri në 13 prill. Verdheblutë janë përzgjedhur si organizatorë të turneut. Sipas rregullores së publikuar më parë, në këtë fazën kualifikohen dy skuadrat e para të çdo grupi. Kuqezinjtë kaluan për herë të parë edicionin e shkuar në Raundin Elitë të eliminatoreve të Kampionatit Evropian, duke shënuar një sukses të rëndësishëm.

Pas shortit, i kontaktuar nga fshf.org, trajneri Resuli u shpreh se “shorti është relativisht i vështirë, por ne jemi të detyruar të luftojmë fort për kualifikimin. Skuadra ka pasur rritje vitet e fundit dhe uroj që kjo të konfirmohet edhe në këtë edicion eliminator”.