“Futbolli dhe sfidat e kohës”. Një iniciativë e Universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, në bashkëpunim të ngushtë me Federatën e Futbollit u konkretizua këtë të premte në Elbasan. Një seminar njëditor me temë futbollin dhe pritshmëritë e momentit. Në këtë workshop, zyrtarë të FSHF-së, pedagogë të Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, të Universitetit të Sporteve “Tirana”, dhe të Universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër përcollën nëpërmjet materialeve të tyre edhe sfidat aktuale që rrethojnë edhe evoluimin e futbollit në vendin tonë. Prezent në këtë aktivitet edhe Presidenti i FSHF-së Armand Duka, i cili theksoi faktin që nisma të tilla do të vijojnë edhe më tej në rang universitar, për një kontribut të vazhdueshëm në afrimin e gjithkujt me futbollin. Para studentëve të Masterit në këtë Universitet përshëndetën punimet e këtij seminari edhe Rektorët e Universitetit të Elbasanit dhe Universitetit të Sporteve. Nga Federata Shqiptare e Futbollit referoi me temën: “Sport apo marketing”, Drejtori i Sektorit të Marketingut në FSHF, Gazmend Malo, i cili përcolli përpara studentëve të Universitetit dhe vetë pedagogëve të tjerë pjesëmarrës në këtë workshop edhe azhornimet më të fundit dhe strategjitë në lidhje me marketingun në sport dhe veçanërisht në futboll.
Ky seminar synon të inkurajojë diskutimin rreth sfidave konkrete që ndeshen sot në futbollin shqiptar, të nxisë debatin mbi gjetjet e reja dhe praktikat më të mira të futbollit, të krijojë mundësi për të shkëmbyer ide novative që u çelin udhën zhvillimeve të qëndrueshme në fushën e sportit.

















