Edhe këtë javë fundjavë shumica e futbollistëve të Kombëtares shqiptare, të cilët aktivizohen me klube të ndryshme në Europë, kanë luajtur me ekipet e tyre duke qenë edhe protagonistë madje. Në Serie A, portieri Etrit Berisha ishte titullar me Torinon të dielën mbrëma dhe u paraqit mjaft mirë në barazimi 0-0 me Milanin. Gardiani kuqezi po luan vazhdimisht titullar me klubin torinez dhe është konstant në formën e tij pozitive.
Edhe portieri tjetër kuqezi, Thomas Strakosha ishte titullar me Lazion dhe protagonist me pritjet e tij në suksesin 4-1 ndaj Genoas të skuadrës kryeqytetase. Shqiptari tjetër i Lazios, Elseid Hysaj e nisi ndeshjen nga stoli dhe u aktivizua në minutat e fundit.
Mbrojtësi Berat Gjimshiti për shkak të një dëmtimi nuk është aktivizuar me Atalantën, që luajti në transfertën e Sassuolos, ndërsa Marash Kumbulla ishte titullar me Romën në sfidën ndaj Salernitanës. Mbrojtësi u zëvendësua në fillim të pjesës së dytë ndërsa Roma ia doli të marrë 3 pikët ndaj skuadrës së Federic Vesilit. Ky i fundit e ndoqi ndeshjen nga stoli dhe nuk u aktivizua.
“Derbi” kuqezi i luajtur të shtunën Empoli-Spezia u mbyll na barazim 0-0, teksa Nedim Bajrami e Kristjan Asllani ishin titullar dhe bënë një paraqitje të mirë, ashtu si Rey Manaj në krahun tjetër që ishte në 11-shin startues. Edhe Ardian Ismajli u aktivizua për rreth 15 minuta në këtë sfidë, duke hyrë në fushë si zëvendësues.
Në Spanjë, sulmuesi Myrto Uzuni luajti për 90 minuta me Granadën në transfertën ndaj Sevilla-s, ashtu si edhe Kejdi Bare me Espanyol të dielën mbrëma në suksesin ndaj Celta Vigo.
Në Angli, sulmuesi Armando Broja nuk u aktivizua këtë javë me Southampton që u përball me Chelsea-n për shkak të klauzolës në kontratën e huazimit, që nuk e lejon shqiptarin të luajë ndaj skuadrës që zotëron kartonin e tij.
Në Zvicër, mesfushori Emir Lenjani ishte si zakonisht titullar me Grasshopers në barazimin 2-2 me Luzern, ndërsa Amir Abrashi vazhdon rikuperimin nga dëmtimi dhe nuk është rikthyer të luajë.
Në Turqi, sulmuesi Sokol Cikalleshi dhe mesfushori Endri Çekiçi luajtën titullarë me Konyasporin që u mund në transfertën e Rizesporit 2-1.

















