Një javë ka mbetur nga përfundimi i kampionatit amator të futbollit “FSHF Sunday League” ose i njohur gjërësisht si futbolli 9×9, që ka njohur mjaft sukses përgjatë këtij edicioni.
Ndeshja më interesante e javës ka qenë ajo mes Prestige MFC – Dajti, dy skuadrat që gjenden në grupin B dhe që ndanin pikë të barabarta në grup, deri të premten, pas triumfit të Prestige MFC me shifrat 3-1. Një fitore që i jep vendin e parë në kuotën e 35 pikëve kësaj skuadre, teksa një javë ka mbetur nga përfundimi i kampionatit. Sakaq, Dajti zbret në vendin e dytë me 32 pikë, me po aq pikë sa skuadra e ATS që mundi këtë javë FC Confucius. Gara ende është e hapur, teksa fituesi i grupit do të përcaktohet këtë javë.
Ndërkaq, në grupin A, edhe pse ka mbetur vetëm një javë nga përfundimi i kampionatit, Nova është tashmë fitues i grupit, pasi kryeson i vetëm grupin me 43 pikë, ndërsa në vendin e dytë renditet Roamel me 36 pikë.
Kjo do të jetë edhe java e fundit e kampionatit të futbollit “FSHF Sunday League”, teksa pas përfundimit të ndeshjeve në të dyja grupet pritet të nisë edhe faza play-off, ku 8 skuadra të grupit A dhe 8 skuadra të grupit B do të përballen me njëra-tjetrën, për të përcaktuar edhe kampionin e këtij edicioni. Skuadrat që gjenden në vendet 9-12 të klasifikimit te grupi A do të përballen me vendet 9-12 të grupit B për Kupën “Oktapus”. Ndërsa, skuadrat e renditura në vendet 13-16 të grupit A do të luajnë ndaj ekipeve të vendeve 13-16 të grupit B, për të fituar Kupën “Digi Print”, teksa skuadrat e vendeve 17-18 në të dyja grupet do të luajnë për të fituar një kupë simbolike.

















