FSHF, seminar me vëzhguesit e kategorisë “Abissnet Superiore” për ndryshimet e rregullores së lojës - FSHF

FSHF, seminar me vëzhguesit e kategorisë “Abissnet Superiore” për ndryshimet e rregullores së lojës

Sektori i Arbitrimit në Federatën Shqiptare të Futbollit ka zhvilluar një seminar me vëzhguesit e kampionatit “Abissnet Superiore”. Ky seminar u organizua në prag të nisjes së sezonit, dhe ashtu si edhe me seminarin me arbitrat dhe kapitenët e trajnerët e Abissnet Superiore që u zhvilluan ditët e fundit, synohet rritja e performancës nga ana e zyrtarëve të ndeshjeve.

Fillimisht u analizua performanca e tyre gjatë sezonit 2021-2022 dhe problematikat e hasura apo gjërat që janë për t’u përmirësuar.

Fokusi i këtij seminari ka qenë sigurisht shpjegimi i ndryshimeve në rregulloren e lojës. Vëzhguesit u njohën me disa sqarime të rregullit 11 në lidhje me “lojën e qëllimshme ose devijim” si dhe me rifreskimin e kritereve për vlerësimin e arbitrave në baze të vendimeve të marra nga sistemi VAR.

Një pjesë e konsiderueshme e seminarit ju kushtua situatave të lojës ku u diskutuan kriteret e ndëshkimit të shkeljeve te prekjet e topit me dorë, ndërhyrjet e parregullta, incidentet në zonën e penalltisë, protestat e lojtarëve dhe zyrtarëve, etj.

E gjithë puna trajnuese që po bëhet përpara fillimit të sezonit ka si qëllim që të gjithë aktoret e lojës, arbitra, lojtarë, trajnerë dhe vëzhgues të kenë të njëjtat vlerësime për situatat që ndodhin gjatë një ndeshjeje.

Njëkohësisht, vëzhguesve u është kërkuar seriozitet maksimal në plotësimin e raporteve vlerësuese për zyrtarët e ndeshjes, duke u siguruar në zbatimin dhe interpretimin e njëtrajtshëm të Rregullave të Lojës.

Në ditët në vazhdim Sektori i Arbitrave në FSHF do të zhvillojë seminare edhe me vëzhgues të kategorive të tjera për t’i përditësuar me rregullat e lojës dhe për të analizuar performancën e tyre.