FSHF, partneritet për iniciativën e barazisë gjinore - FSHF

FSHF, partneritet për iniciativën e barazisë gjinore

Federata Shqiptare e Futbollit, është e angazhuar prej disa javësh për mbështetjen e iniciativës ndërkombëtare “HeForShe”. Kjo është një lëvizje solidariteti për barazinë gjinore e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, UN Women, përmes së cilës burrat e djemtë nga e gjithë bota flasin hapur, angazhohen dhe veprojnë konkretisht rreth çështjeve të pabarazisë me të cilat përballen sot gratë e vajzat.
“HeForShe” në Stadium, është një iniciativë e UN Women në partneritet me Federatën Shqiptare të Futbollit dhe me mbështetjen e Fondacionit Vodafone, duke u shtrirë në 10 ndeshje të superligës, në 9 qytete të Shqipërisë gjatë periudhës tetor-dhjetor.
Me mbështetjen e Federatës Shqiptare të Futbollit, ajo ka nisur javën e kaluar në stadiumin “Niko Dovana” të qytetit të Durrësit, në ndeshjet Teuta – Korabi. Aty janë lexuar mesazhet sensibilizuese, ndërsa fëmijë me bluza të “HeFor She”, kanë shoqëruar futbollistët dhe gjyqtarët në ceremoninë e pragndeshjes. Më pas, me mbështetjen e FSHF dhe të UEFA-s, fushata ka vazhduar në qytetin e Shkodrës, në ndeshjen Shqipëri-Spanjë. Ajo do të vazhdojë Sot në stadiumin “Flamurtari”, në takimin Flamurtari – Kukësi.
Fushata i drejtohet djemve dhe burrave, për t’u bërë “modele ndryshimi” për komunitetin dhe shoqërinë. Figura të njohura i janë bashkuar lëvizjes në nivel global si: Presidenti Barack Obama, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Moon, aktorë si Russell Crow, Mat Damon apo Emma Wattson, e cila është përzgjedhur edhe si Ambasadorja e Vullnetit të Mirë për këtë fushatë.
Në Shqipëri, mjaft figura të njohura nga kultura, politika, por edhe njerez të thjeshtë janë solidarizuar në këtë lëvizje për mbrojtjen e të drejtave të grave dhe vajzave.