FSHF organizon workshop-in e së Drejtës Sportive, Presidenti Duka: Futbolli, një fenomen global. Kornizat ligjore sigurojnë drejtësi, integritet e mirëqenie - FSHF

FSHF organizon workshop-in e së Drejtës Sportive, Presidenti Duka: Futbolli, një fenomen global. Kornizat ligjore sigurojnë drejtësi, integritet e mirëqenie

Çështjet e të drejtës së sportit ishin në fokusin e diskutimeve mes ekspertëve të fushës në workshop-in e zhvilluar këtë të enjte nga Federata Shqiptare e Futbollit me temë “Workshop i të Drejtës Sportive 2024”. Një aktivitet mjaft i rëndësishëm, i kthyer tashmë në traditë nga FSHF dhe në një platformë mjaft të mirë jo vetëm komunikimi e diskutimi, por edhe shkëmbimi eksperiencash.

Në këtë workshop morën pjesë Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, Sekretari i Përgjithshëm, Ilir Shulku, figura të njohura të së drejtës sportive jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga Europa, si: Thomas Leblatier, Këshilltar Ligjor pranë departamentit të Clearing House të FIFA-s, Jacques Blondin, Avokat dhe Drejtor i Departamentit “Regulatory Enforcement” në FIFA, Salvatore Civale, Drejtor i Qendrës së Legjislacionit dhe Politikave Sportive, Andrea Marchetti, Avokat i specializuar në fushën e të drejtës sportive si dhe Aldi Topçiu, Drejtori i Departamentit Ligjor dhe Licencimit në FSHF.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka përshëndeti me një fjalë rasti pjesëmarrësit, teksa i inkurajoi të gjithë që të përfshihen dhe të përfitojnë sa më shumë nga ky workshop, për të thelluar sa më shumë njohuritë në këtë fushë. Ndër të tjera, Presidenti Duka përshëndeti edhe praninë e ekspertëve ligjorë të FIFA-s dhe ata europianë në këtë workshop.

“Është nder dhe kënaqësi t’ju mirëpres në seminarin e së drejtës sportive 2024 këtu në “Shtëpinë e Futbollit”. Ky organizim është tashmë në edicionin e tij të tretë radhazi dhe duket se është kthyer në një takim fiks në kalendarin e komunitetit tonë të juristë të sportit, që bën bashkë specialistë të fushës nga FIFA, juristë të shquar sportiv nga e gjithë Evropa me anëtarët e organeve tona juridike dhe përfaqësuesit e klubeve tona anëtare.

Si President i Federatës Shqiptare të Futbollit, vij para jush me shumë krenari, duke njohur rëndësinë e forcimit të një themeli të fortë ligjor në fushën e futbollit. Sporti ynë i bukur ka evoluar në një fenomen global, duke mahnitur zemrat e miliona njerëzve dhe me një ndjekje kaq të madhe vjen edhe nevoja për korniza të forta ligjore që sigurojnë drejtësi, integritet dhe mirëqenie të gjithë atyre që janë të përfshirë.

Prania e ekspertëve ligjorë të nderuar nga FIFA dhe Europa në këtë seminar pasqyron angazhimin tonë për të respektuar standardet më të larta dhe për të sjellë pranë anëtarëve tanë zhvillimet e fundit të drejtësisë sportive. Kjo është gjithashtu një dëshmi e frymës së bashkëpunimit që na bashkon në kërkimin e përsosmërisë dhe avancimit të futbollit si një forcë për ndryshime pozitive.

Për juristët dhe avokatët e klubeve, anëtarët e komisioneve dhe të gjithë pjesëmarrësit e pranishëm sot, ju inkurajoj që të përfshiheni aktivisht në diskutime, të ndani njohuritë tuaja dhe të përfitoni nga pasuria e njohurive që do të shkëmbehen gjatë këtij seminari. Këto evente duhet t`ju shërbejnë si referim për t`u thelluar në fushën tuaj dhe të asistoni klubet tuaja por edhe FSHF në zgjidhjen e problemeve ligjore në sport, të cilat jo rrallë herë ju kanë sjellë penalizme të rëndësishme financiare për mos përmbushje të detyrimeve që rrjedhin nga rregulloret e që mund të ishin lehtësisht të shmangshme.

Ndërsa thellohemi në këto diskutime, le të mbajmë parasysh fuqinë që mban futbolli jo vetëm si lojë, por si një mjet për kohezionin social, shkëmbimin kulturor dhe përfshirjen. Dua t`ju ftoj gjithashtu të shfrytëzoni këtë event për të zgjeruar rrjetin tuaj të kontakteve. Në fakt, vetë FSHF, nga workshopi i parë i organizuar në vitin 2019, ka fituar bashkëpunëtorë të cilët na kanë përfaqësuar me dinjitet në CAS, Lozanë.

Edhe një herë, shpreh mirënjohjen time për të gjithë pjesëmarrësit, në radhë të parë për spikerët për ekspertizën që do të do të ndajnë me ne dhe pres që ky takim të shërbejë si moment mësimi, bashkëpunimi dhe përparimi për komunitetin ligjor të futbollit” – nënvizoi Presidenti Duka në fjalën e tij të rastit.

Në workshop-in e organizuar sot në “Shtëpinë e Futbollit” u diskutuan çështje të së drejtës sportive, ku u trajtuan tema të ndryshme si transferimi i lojtarëve, rregullorja e agjentëve të FIFA-s, jurisprudenca e BE-së dhe jurisprudenca e gjykatës së futbollit, FIFA, duke sjellë zhvillimet më të fundit në këtë fushë.