FSHF: Ngjarje të shëmtuara në Peshkopi e Pogradec - FSHF

FSHF: Ngjarje të shëmtuara në Peshkopi e Pogradec

 

Ngjarjet e shëmtuara dhe dhuna e shfaqur në përfundimin e dy ndeshjeve të rëndësishme dhe deçizive të Kategorisë së Parë, Korabi-Kastrioti zhvilluar në Peshkopi dhe Pogradeci-Luftëtari në Pogradec, ka shqetësuar seriozisht institucionin e futbollit shqiptar, i cili kërkon të ndajë këtë shqetësim edhe me opinionin publik.

Duket krejtesisht e pakuptueshme dhe e paprecedent, ajo që ka ndodhur në stadiumin e Peshkopisë. Skuadra vendase fiton një ndeshje deçizive për tu ngjitur në krye të tabelës por disa tifozë vendas në vend që të festojnë dhe ti gëzohen fitores, ushtrojnë dhunë duke sulmuar lojtarët e Kastriotit. Kjo përbën një ngjarje të paprecedent, që kërkon një vëmendje të veçantë. E njëjta gjë ndodh edhe në qytetin e Pogradecit, kur pas barazimit 1-1 dhe përfundimit të ndeshjes, tifozë dhe lojtarë të Pogradecit, sulmojnë dhe godasin futbollistët miq të Luftëtarit.

Federata Shqiptare e Futbollit, dënon dhunën e ushtruar dhe kërkon sa më shumë qetësi dhe gjakftohtësi, në këto momente të rëndësishme të garës. Ne i bëjmë thirrje të gjithë drejtuesve të klubeve, e tifozerive që të respektojnë lojën rezultatin dhe kundërshtarin. Akte të tilla e shëmtojnë futbollin dhe nuk kanë asgjëtë përbashkët me bukurinë që prodhon loja. Ato e njollosin këtë spektakël të bukur dhe emocionin që ai dhuron.

Komisionet përkatëse, menjëherë kanë filluar hetimin e këtyre ngjarjeve të rënda dhe do të japin ndëshkimet më të rënda që paraqet rregullorja.

Federata Shqiptare e Futbollit


Duke kontrolluar karten...