Federata Shqiptare e Futbollit, mbështet Komitetin Olimpik Special. Në prag të Lojrave Boterore të sportistëve me aftësi të kufizuar, që do të zhvillohen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, delegacioni zyrtar i Shqipërisë është pritur nga Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka. Ky delegacion i drejtuar nga Presidenti i Komitetit Olimpik Special Ismet Bellova dhe ka në përbërje dhjetë sportistë. FSHF ka mbështetur financiarisht dhe materialisht, Komitetin Olimpik Special, në disa aktivitete të rëndësishme ndërkombëtare, përfshi edhe Lojrat Botërore të këtij viti.
“Është një kënaqësi, të mbështesësh sportistë si ju, të cilët jo vetëm do të përfaqësojnë Shqipërinë në Lojrat Botërore por edhe janë një shembull i këmbënguljes në sport. Brenda mundësive tona, ne kemi mbështetur dhe do të vazhdojmë të mbështesim si financiarisht, ashtu edhe me bazë materiale këtë grupim sportistësh dhe këtë shoqatë”-deklaroi Presidenti Armand Duka.
Në vijim, ai u interesua në lidhje me aktivitetin që do të zhvillohet në SHBA. Më pas e mori fjalën Presidenti i Komitetit Olimpik Special, Ismet Bellova: “Falenderoj në mënyrë të veçantë Federatën Shqiptare të Futbollit dhe Presidentin Armand Duka për mbështetjen e tyre të vazhdueshme dhe të pakufishme për ne. Tek institucioni i futbollit, ne kemi gjetur një partner dhe mbështetës, për performancën tonë sidomos në aktivitetet ndërkombëtare. Ju falenderojmë nga zemra për këtë dhe ju jemi mirënjohës”.
Në mbyllje të të takimit pasi ka uruar sportistët për sukses në Lojrat Botërore të sportistëve me aftësi të kufizuar, Presidenti Duka ka theksuar: “Është në politikën e Federatës Shqiptare të Futbollit, që të afrojë sa më shumë dashamirës rreth sportit. Ne kemi mbështetur dhe investuar për Komitetin Olimpik Special, Shoqatën e të Verbërve të cilëve ju kemi organizuar kampionat dhe tani po ju ndërtojmë një fushë. Ne kemi ndërtuar fusha futbolli dhe kemi organizuar kampionate në institucionet e vuajtjes së dënimit. Gjithashtu janë mbështetur me bazë materiale Shtëpia e Fëmijës dhe është investuar në fusha sportive në fshatin SOS. Ne do të vazhdojmë një politikë të tillë, e cila ka për synim, përfshirjen edhe të shtresave të veçanta të shoqërisë, në botën e madhe dhe magjike të futbollit.
Presidenti i Komitetit Olimpik Special, Ismet Bellova më pas i ka njohur të pranishmit me përgatitjet dhe intinerarin që do të ndjekë delegacioni shqiptar për në SHBA. Ekipi do të niset nesër në orën 06.00 nga Aeroporti “Nënë Tereza”, i Rinasit.

















